Tiranë, 02 maj, NOA – Deputetët e Partisë Socialiste kanë hyrë sot në ditën e tretë të grevës së urisë. Ndërkohë që krahas vendimit ekstrem për të hyrë në grevë, selia rozë duket se do të ndërmarrë dhe një “aksion” lobimi në institucionet e Bashkimit Europian.
Për këtë qëllim përfaqësuesit e PS-së do të marrin pejsë në takimin për Stabilizim- Asociimin, BE-Shqipëri së bashku me dy deputetë pjesëmarrës në grevë, Taulant Balla dhe Arben Malaj, të cilët do të nisen sot drejt Brukselit.
Malaj e Balla janë pjesë e delegacionit shqiptar të Komitetit Ndërministror për Stabilizim- Asociimin BE-Shqipëri.
Por edhe pse axhenda e delegacionit shqiptarë do të jetë e fokusuar në çështje që kanë të bëjnë me integrimin dhe përmbushjen e standardeve nga ana e Shqipërisë, përfaqësuesit e PS-së do të orientojnë diskutimet në Bruksel në çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e votës dhe krizën politike në Shqipëri.
Pjesë e delegacionit të PS-së, veç dy pjesëmarrësve të grevës, do të jenë dhe deputetët Valentina Leskaj, Ermelinda Meksi,Saimir Tahiri, Ditmir Bushati.
m.xh/NOA