English

Gati ndihma e BE për Greqinë, Spanja jep shenja krize

Athinë, 02 maj, NOA – Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë bërë gati marrëveshjen për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi financiar.

Negociatat mes Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë greke janë mbyllur me sukses. Kjo është bërë e ditur nga ministria e Financave në Athinë.

Kreu i qeverisë greke, Jorgo Papandreu do të thërras sot mbledhjen e qeverisë për të njoftuar detajet e marrëveshjes. Ekspertët e vlerësojnë nevojën financiare të Greqisë, në tre vitet e ardhshme, me deri në 120 miliardë euro.

Për kreditë e emergjencës, FMN-ja dhe BE-ja kanë kërkuar një program të rreptë kursimi. Diskutohet shkurtimi i rrogave të administratës publike, pensioneve dhe rritja e taksave. Në ditën e 1 Majit protestuan rreth 20.000 vetë në Athinë dhe Selanik kundër planeve të qeverisë për kursin e kursimeve.

Ndërkohë, pas Greqisë edhe Spanja po jep shenja krize, agjencitë e vlerësimit e kanë ulur kredibilitetin financiar të vendit me një deficit buxhetor të lartë.

Ministrja e Financave, Elena Saldago megjithatë u shpreh: “duhet të ruajmë qetësinë. Kemi një plan për reduktimin e deficitit, dhe jemi duke e zbatuar”.

m.xh/NOA/DV

KOMENTE