Tiranë, 02 Maj 2010 NOA/Milena Selimi – Edicioni i parë i “Berat Festival 2010” vazhdon aktivitetet dhe prezantimin e programit të tij, ashtu si kishte paralajmëruar nga MTKRS-ja, në qytetin ku zhvillohet.
“Berat Festival 2010” nuk është një festival i mbështetur mirëfilli në veprimtari kulturore. Programi lajmëron se ky aktivitet shtrihet dhe aktivizon të gjitha aspektet e jetës së përditshme. Vetë nëntitulli, “Shije, ngjyra, tinguj, shpresë, pasion... dashuri”, lajmëron një tjetër natyrë të këtij festivali që do të shënojë edicionin e parë.
Dita e sotme sjell aktivitete sportive “Rafting Day”, në lumin e Osumit, ndërsa në Urën e Goricës do të zhvillohet një ekspozitë me titull “ Guri dhe inteligjenca e skulptorëve dhe gdhendësve te gurit”.
Pasditja do të vazhdojë me koncertin koral “Nënë Tereza”, nën drejtimin e prof. Zana Turku, i cili do të mbahet në Parkun Qendror të Beratit.
Sipas organizatorëve, kjo nismë ka si qëllim përmirësimin në Evropë dhe në botë, të imazhit dhe potencialiteteve që zotëron “Qyteti i një mbi një dritareve” për zhvillimin e turizmit kulturor. Qyteti i Beratit, qyteti i kulturës dhe i vlerave të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore kombëtare, ku ndërthuren vlera të pamohueshme të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe të turizmit, e meriton plotësisht t’i dedikohet një veprimtari e përvitshme e përmasave të këtij lloji.
m.s/r.n/ NOA milena.selimii@noa.al