Tiranë, 2 Maj NOA – Partia Demokratike tha sot se në protestën e djeshme “të Edvin Kristaq Ramës, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqes, Enkelejda Hamdi Shamkut, Gramoz Rucit dhe pinjollëve të tjerë të bllokut, militantë të Partisë Socialiste shkelmuan dhe i vunë flakën flamurit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë së shqiptarëve”.
Erla Mëhilli në daljen e posaçme për mediat akuzoi se “para këtij akti të turpshëm e të dënueshëm që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangët etërve në ideologjinë e tyre, udhëheqja tjetër e Partisë Socialiste me verbëri dhe skllavëri të plotë hesht duke dëshmuar kështu se ka qenë porositëse dhe organizatore e tij”.
Në këtë pikë ka mbërritur dhe komenti i mazhorancës: “Urrejtja e Edvin Kristaq Ramës, Gramoz Rucit, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqes, Enkelejda Hamdi Shamkut dhe e Dashnor Myslym Pezës ndaj flamurit të lirisë është gjenetike, por heshtja e drejtuesve të tjerë të PS ndaj këtij akti antikombëtar që dëshmon rikthimin e Partisë Socialiste në identitetin e saj të Partisë së Punës së Shqipërisë është tejet i rëndë e shumë i turpshëm”.
“Sot jam para jush për tu deklaruar në emër të Partisë Demokratike pinjollëve të rinj të bllokut se kohërat e shqiptarëve janë kohërat e NATO-s, janë kohërat e lirisë, kurse ato të etërve të tyre kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë”, - përfundoi Mëhilli deklaratën në emër të PD.
r.n/NOA
Më shumë lajme nga Politika