Tiranë, 03, maj, NOA - Me rastin e stinës së madhe të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010: dy Popuj, një Det, një Miqësi”, Instituti Italian i Kulturës ka organizuar një program të gjerë për të kujtuar veprën e Federico Fellinit, nga momenti që në vitin 2010 festohet 50 vjetori i filmit “La dolce vita”, i njohur në të gjithë botën dhe i trasformuar në simbol të jetës dhe kulturës italiane.
Ditët e Fellinit zhvillohen në kuadrin e stinës së aktiviteteve "Italia dhe Shqipëria 2010: Dy popuj, një det, një miqësi".
Më 4 maj, ora 19:00, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, shfaqet baleti italian bashkëkohor "I Bislacchi", ideuar nga koreografja dhe regjisorja Monica Casadei, frymëzuar nga vepra të Fellinit. Interpretojnë balerinët Chiara Ameglio, Pieradolfo Ciulli, Vittorio Colella, Gloria Dorliguzzo, Sara Muccioli dhe Emanuele Serrecchia. Shfaqja pretendon të rindërtojnë mjedise tipike dhe personazhe nga universi viziv i regjisorit, duke krijuar koreografinë, mbështetur mbi bazën e muzikës së Nino Rotës.
Në këtë javë të regjisorit të madh do të projektohet dokumentari "Udhëtimi i gjatë" i Andreij Khrzanovskijt, shkruar dhe treguar nga Tonino Guerra.
Roberto Porroni dhe "Ensemble Duomo" do të shfaqin më 6 maj, ora 19.00, në Teatrin e Operas dhe Baletit një koncert me muzikën e Nino Rotës nga filmat "La Dolce Vita", "Amarcord", "8 e ½", "Giulietta degli Spiriti", "La Strada", "Le notti di Cabiria" dhe "Prova d'orchestra".
Programi :Ditët e Fellinit në Tiranë
Filmat do të shfaqen në sallën “Nënë Tereza”- Pallati i Kulturës në Tiranë.
"La dolce vita" (1959) me Marcello Mastroianni dhe Anita Ekberg më 3 maj, ora 18:00
"Ginger e Fred" (1986) me Marcello Mastroianni dhe Giulietta Masina më 4 maj, ora 15.30
"8 e ½" (1963) me Marcello Mastroianni, Claudia Cardinale dhe Anouk Aimée më 5 maj, ora 18.00
"Fellini Satyricon" (1969) me Martin Potter, Hiram Keller, Max Born më 6 maj, ora 15:30
"Il casanova di Federico Fellini" (1976) me Donald Sutherland e Tina Aumont më 7 maj, ora 18.00
m.s/NOA