Tiranë, 03 maj, NOA – Kryeministri Berisha vlerësoi sot gjatë takimit me delegacionin e rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG), të kryesuar nga drejtori i departamentit për shëndetësinë dhe politikat sociale, bashkëpunimin dhe mbështetjen që është dhënë për shëndetësinë Shqiptare.
Kryeministri shprehu mirënjohje në radhë të parë për ndihmesën në trajtimin e pacientëve shqiptarë si dhe theksoi se bashkëpunimi i tyre ofrohet në një moment shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe reformën e saj.
Kryeministri u shpreh se vetëm pak ditë më parë kërkoi që të punohet për kalimin e shërbimit të onkologjisë pranë QSUT-s në Institutin Onkologjik dhe se bashkëpunimi me qendrat më të mira të fushës në rajonin e FVG do ti shërbejë jo vetëm diagnostifikimit e trajtimit më të mirë të sëmurëve por dhe përmirësimit të aktivitetit shkencor.
Duke vlerësuar përparësitë që ka ky rajon kryeministri Berisha u shpreh se çështja e personave me aftësi të kufizuar është trajtuar me kujdes nga qeveria dhe për këtë kategori janë bërë investime të mëdha, megjithatë është shumë e mirëpritur ndihmesa e tyre.
Përfaqësuesi i delegacionit Vladimir Kosic, e falenderoi Kryeministrin për takimin dhe i përcolli përgëzimet dhe një ftesë nga presidenti i rajonit Renzo Tondo.
Kosic u shpreh se ndër prioritetet që ata kanë në politikat e tyre shëndetësore janë fusha e onkologjisë, çështjet e personave me aftësi të kufizuar, kujdesi për nënën dhe fëmijën, teknologjia e avancuar biomjekësore, menaxhimi i sistemeve shëndetësore etj. Që prej vitit 1992 në spitalin Burlo Garofolo janë trajtuar pacientë nga Shqipëria, por është i mirëpritur normalizimi i bashkëpunimeve në fusha të ndryshme me Ministrinë e Shëndetësisë.
m.xh/NOA