Tiranë, 3 maj, NOA /Altin Kodra Update - Menjëherë pas fitores që ka arritur ndaj argjentinasit Esteban Valdemar Ponce, Kreshnik Qato, ia ka kushtuar këtë fitore si gjithmonë shqiptarëve dhe ka falënderuar promotorin e tij Ylli Ndroqi për organizimin.
"Ishte një fitore e vështirë, por mjaft e bukur sepse e arrita përpara tifozëve të mi”, - ka deklaruar ai pak çaste pasi ishte kurorëzuar për të katërtën herë kampion i botës në versionin WBF.
“Kjo fitore është kurorëzimi i një pune të vazhdueshme dhe përfitoj nga rasti të falënderoj edhe një herë Ylli Ndroqin për mbështetjen që më ka dhënë dhe më jep dhe për këtë organizim të mrekullueshëm të kësaj mbrëmje", ka deklaruar Qato paskëtaj.
Ndërsa, promotori Ylli Ndroqi nga ana e tij, e ka cilësuar këtë fitore të boksierit kuqezi si një fitore të shqiptarëve dhe një tjetër gur kilometrik i suksesit të ringut shqiptar.
"Kjo ishte një fitore aq e vlefshme për mua sa për të gjithë shqiptarët e për më tepër që erdhi pas një ndeshje të fortë dhe të bukur, - ka theksuar ai. - Ishte një ndeshje me nivel të lartë, midis dy boksierëve të përgatitur dhe prandaj them që ishte një fitore mjaft e vlefshme”.
a.k/NOA