Tiranë, 3 maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vizituar sot pasdite mjediset e Spitalit Ushtarak ku gjendet e shtruar deputetja socialiste greviste, Klodiana Spahiu.
Ajo e la grevën e urisë mbrëmjen e së dielës dhe iu drejtua spitalit pasi shfaqi komplikacione të rënda në shëndet, si pasojë e mungesës së bukës dhe ujit.
Gjatë takimit me deputeten socialiste, Vasili i ka uruar një përmirësim sa më të shpejtë të shëndetit dhe ka ripërsëritur apelin e paradites për të ndërhyrë përmes strukturave shëndetësore brenda ambjenteve ku po zhvillohet greva e urisë.
Sipas ministrit, gatishmëria 24 orë do të vazhdojë për sa kohë do të zhvillohet greva dhe momentalisht një ambulancë qëndron e instaluar jashtë çadrave ku janë ngujuar disa deputetë të opozitës dhe qytetarët.
Vasili ka theksuar se kujdesi dhe përkujdesja është synimi i shërbimit shëndetësor dhe në këtë rast ajo do të ofrohet menjëherë sapo organizatorët e grevës të shfaqin interes, pasi aktualisht ky shërbim po ofrohet në mënyrë private.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, ende nuk dihen kushtet e grevës por shqetësuese për të paraqitet shëndeti publik ndaj ata do të asistojnë për të ofruar përkujdesje shëndetësore në çdo rast.
b.a/n.e/NOA