Tiranë, 3 maj, NOA - Vakumi ligjor stimulon krijimin e një terreni informal në realitetin dhe konkurencën mediatike në Shqipëri.
Mungesa e kontratave kolektive për gazetarët, mungesa e një ligji të plotë për shtypin, trajtimi i njëanshëm me reklama nga qeveria për median, këto mendohen ndër problemet kryesore të redaksive të gazetarëve në Shqipëri.
Sipas organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit, “Freedom House”, Shqipëria është në nivelin e një vendi me shtyp pjesërisht të lirë.
Raporti, që u bë publik pak ditë më parë nga organizata “Freedom House”, Shqipërinë e ka renditur në vendin e 50. Përveç Kosovës, e cila ishte tri vende më poshtë, shtetet e tjera në rajon janë vlerësuar më mirë, sa i takon këtij treguesi.
Për aktivistët e “Freedom House” ndërsa kushtetuta shqiptare “garanton lirinë e fjalës, ndërhyrja e bizneseve të fuqishme si dhe interesat politike dhe të medias pengojnë zhvillimin e mediave të pavarura”.
Duke e kategorizuar në 7 nivele gjendjen e lirisë së shtypit në botë, organizata e klasifikon Shqipërinë në nivelin e tretë, ose duke e standartizuar atë si një vend pjesërisht i lirë në këtë aspekt.
Çipa: Probleme, panorama inflacioniste e medias, informaliteti, vakumi ligjor
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë e përshkruan si realist këtë raport. Duke bërë bilancin e gjendjes së medias në Shqipëri, në ditën botërore të lirisë së shtypit, Çipa thotë për DW se në Shqipëri mbeten disa probleme thelbësore për t'u zgjidhur. Ai mendon se ka një panoramë inflacioniste të medias, me rreth 25 gazeta të përditshme dhe afër 85 operatorë radio televizivë. Një fluks, që për numër të popullatës, është shumë më i madh se i vendeve të tjera të rajonit.
“Por problemi më serioz, i cili shpreh nivelin dhe kualitetin e lirisë së shtypit lidhet me informalitetin, që dominon marrëdhëniet e punës së gazetarit shqiptar. Dhe statusin e papërcaktuar të gazetarit në raport me entet mediatike, ku ai ushtron profesionin e tij dhe me punëdhënësit e administratorët e medias. Ky është një nga realitetet e bartura në periudhën e trazicionit, është një nga problematikat më serioze që cënon integritetin dhe pse jo dhe profesionalizmin e mediave shqiptare”.
Një problem tjetër, sipas Aleksandër Çipës nga Unioni i gazetarëve të Shqipërisë, është dhe vakumi ligjor. Vendi nuk ka një ligj të posaçëm për shtypin. Ndërkohë që ligji për mediat audiovizive i miratuar para rreth 12 viteve, megjithëse është amenduar disa herë nuk i përgjigjet realitetit të sotëm, shton ai.
“Ky vakum ligjor nuk bën gjë tjetër, veçse e lë në një terren informal realitetin dhe konkurencën mediatike në Shqipëri. Sikundër nuk garanton hierarkinë e vlerave profesionale, as ruajtjen e tyre. Krijon hapësira për degradimin e këtij kualiteti dhe mundësie të garës dhe konkurencës profesionale. Në të njëjtën kohë lë hapësira për abuzivitet, për përplasje mes profesionistit dhe amatorit, në përplasjen mes profesionistit dhe diletantit”
Aleksandër Çipa tregon se ditët e fundit Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka përfunduar projekt kontratën kolektive për gazetarët. Një model që është arritur nga konsultimet për një kohë të gjatë me grupet e interesit në rrethe të ndryshme të vendit, por dhe i konsultuar me ekspertët më të mirë të fushës. “Ky model është në përputhje dhe me stadartet, që aplikohen në vendet e BE-së”, tha Çipa për DW.
Rakipi: Problem, raporti i tensionuar i autoriteteve me disa media, që shfaqen si kritike ndaj qeverisë
Ylli Rakipi, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, shikon si thelbësor konceptin e lirisë ekonomike, që ka të bëjë sipas tij me trajtimin jo të barabartë, që iu bën qeveria mediave.
“Nuk është se qeveria ndalon njërën palë, që të ushtrojë aktivitetin ekonomik. Jo. Ajo bën një gjë tjetër. Ndihmon fort palën e vet, i jep asaj mundësi të panumërta duke eleminuar në këtë rast garën dhe duke eliminuar atë pjesë të medias, që nuk është pjesë e saj. Tani ka ndryshuar totalisht metodologjia, është më e sofistikuar, më e re, më e mënçur dhe sigurisht më goditëse ndaj medias: T'i krijosh vështirësi të jashtëzakonshme asaj. Ca këtu janë të njerkës dhe ca janë të nënës…”
Rakipi e ilustron idenë e tij me dhënien për një pjesë të medias të reklamave dhe ndihmave indirekte dhe ato mbijetojnë vetëm nga fakti se janë proqeveritare. Kjo influencon, sipas tij, në prishjen e konkurencës së ndershme. “Duke ndikuar në nxjerrjen jashtë loje të atyre redaksive, që jane kritike dhe objektive me realitetin politik, social e ekonomik në vend”, thotë Ylli Rakipi për DW.
DVelle