English

Fëmija i braktisur në Vlorë, Shërbimi Social Shtetëror: Birësimi, antiligjor

Vlorë, 3 maj, NOA/ Blerina Ahmetaj - Isaleo, fëmija që u gjet në një kosh plehrash në Vlorë dy vjet më parë, nuk duhet të qëndrojë në familjen rome të shtetasit vlonjat Leonard Xhemali, ndonëse i shpëtoi jetën pasi e rriti dhe e ushqeu gjatë këtyre viteve.

Alarmi është dhënë nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili e gjykon rastin e paprecedent si të kundraligjshëm në raport me ligjet shqiptare të birësimit.

Sipas sociologut në Shërbimin Social Shtetëror, Gëzim Tushi, familja rome duhet ta dorëzojë fëmijën pranë organeve ligjore, siç është policia, e cila më pas duhet të hyjë në kontakt me zyrën rajonale të Shërbimit Social për akomodimin e fëmijës pranë institucioneve të përkujdesjes sociale.

“Është absurde dhe e patolerueshme njëkohësisht që në kohët e sotme, në një shtet ligjor, të mund të kemi raste të tilla. Përveç anës humane që unë vlerësoj te familja rome, duhet të ndërhyjnë organet e policisë, si të vetmet përgjegjëse në këtë rast për të ndërmjetësuar kontaktin me institucionet e përkujdesjes sociale. Fëmija i braktisur ka nevojë për familje dhe prindër me integritet e personalitet me qëllim që rritja e tij të jetë e shëndetshme”, tha Tushi.

Sociologu ka shpjeguar procedurat që një shtetas shqiptar duhet të plotësojë për të birësuar një fëmijë. Sipas tij, rasti në fjalë është paradoksal pasi familja rome nuk mund të rrisë fëmijën e braktisur, pasi nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të ushqyer fëmijët e saj.

“Para se fëmija i braktisur t’i nënshtrohet birësimit, duhet që të kërkohet familja biologjike. Nëse ky kërkim rezulton i dështuar, 6 muaj më pas hapen procedurat e birësimit e sipas ligjit shqiptar, mund të pranohen kërkesa si nga shtetas shqiptarë ashtu dhe të huaj.

Për të aplikuar për birësim, familja që aplikon duhet të plotësojë disa kushte siç janë personaliteti, natyrisht dhe të ardhurat pa dashur të diskriminojmë shtresën e varfër, por për ne e rëndësishme është jeta e fëmijës”, theksoi sociologu Gëzim Tushi.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror, Komiteti i Birësimit është përgjegjësi kryesor për të hyrë në kontakt me familjet e interesuara brenda dhe jashtë vendit për birësimin e fëmijëve, në të dyja rastet shtetasit e huaj apo vendas duhet të plotësojnë shumë kritere, kryesorja integriteti dhe personaliteti, të cilat janë shumë të rëndësishme për mirërritjen e fëmijëve të braktisur.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE