English

Greva e opozitës sot në ditën e 4-t, deputetja Spahiu dërgohet në spital

Tiranë, 3 maj, NOA – Ka hyrë sot në ditën e saj të katërt, greva e urisë së 19 deputetëve socialistë dhe dhjetëra mbështetësve të Partisë Socialiste, të cilët e kanë iniciuar atë në mbrëmjen e ditës së premte.

Bëhet me dijeni se gjendja shëndetësore e grevistëve ka nisur të rëndohet, ndërsa raportohet se në orët e para të mëngjesit të sotëm, deputetja socialiste Klodiana Spahiu është dërguar në Spitalin Ushtarak ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve, pasi shfaqi simptoma shqetësuese për shëndetin.

Nga ana e tyre, grevistët janë të vendosur që ta vazhdojnë grevën e tyre, derisa sipas tyre, qeveria të reflektojë.

Ende nuk ka një reagim nga qeveria për këtë hap të hedhur nga opozita, ndërsa është paralajmëruar një konferencë për shtyp sot në orën 11.00 nga kryeministri Sali Berisha, gjatë së cilës ai pritet të prononcohet në lidhje me grevën e urisë së opozitës.

Nga ana tjetër, është policia ajo që ka reaguar për ta lënë në mes këtë grevë, pasi sipas saj, ajo po rëndon së tepërmi trafikun në kryeqytetin e vendit.

n.e/NOA

KOMENTE