English

Kreshnik Qato, për të katërtën herë kampion bote në boks

Tiranë, 3 maj, NOA /Altin Kodra - Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, ka mbrojtur për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin "World Boxing Federation", pasi ka mposhtur argjentinasin Esteban Valdemar Ponce me vendim unanim pas 12 raundesh.

Qato është ngjitur në ringun e pallatit të sportit "Asllan Rusi" në Tiranë dhe kundërshtari i radhës për boksierin kuqezi ka qenë argjentinasi Esteban Valdemar Ponce, i cili deri në ndeshjen e mbrëmshme, regjistronte në ringun profesionist 16 fitore, nga të cilat 8 i ka mbyllur me nokaut (K.O), 4 humbje dhe 1 barazim.

Raundi i parë ka qenë kryesisht i barazpeshuar, pasi dy boksierët kanë studiuar njëri-tjetrin, ndërsa ai i dyti ka folur më mirë për boksierin shqiptar.

Megjithatë, argjentinasi Ponce është kundërpërgjigjur në raundin e tretë, duke arritur madje edhe ta rrëzojë Qaton në "knock-down", duke shkaktuar edhe drithërima në publikun e ndezur të Pallatit të Sportit "Asllan Rusi".

Por boksieri kuqezi është çuar në këmbë dhe raundi i katërt ka rikthyer barazpeshën në lojë, ndërsa Qato ka shpërthyer në raundin e pestë, duke e goditur disa herë rrezikshëm kundërshtarin.

Edhe raundi i 6-të ka folur në përgjithësi për kampionin shqiptar të botës, që duket se e ka kapërcyer tanimë atë rënie në tapet në raundin e tretë dhe gradualisht e sulmon gjithnjë e më tepër kundërshtarin.

Raundi i 7-të ka rikthyer baraspeshën në nivelin e duelit, pasi edhe Ponce ka reaguar, duke u mbrojtur me sukses dhe duke shfrytëzuar njëfarë euforie të Qatos.

Megjithatë, shqiptari korrigjon veten në që fillim të raundit të 8-të, duke sulmuar ethshëm, por ritmi rikthehet në nivelin e tij normal pak më vonë.

Raundi i nëntë ka qenë pa shumë histori, kryesisht i qetë dhe me ndonjë goditje sporadike të të dy boksierëve.

Lodhja siç duket po bënte të vetën dhe në raundin e 10-të, Qato është munduar të godasë disa herë rrezikshëm, por duke e lënë hapur veten ndaj kundërsulmeve të argjentinasit. Por në raundin e parafundit, duke synuar edhe një fitore me pikë, boksieri shqiptar ka qenë më superior ndaj kundërshtarit, duke arritur edhe ta shtyjë argjentinasin drejt një "knock-down" që gjithsesi nuk u materializua.

Epilogu i ndeshjes ka parë Poncen të sulmojë në kërkim të pikëve të fundit, por Qato është mbrojtur me efikasitet, duke pritur gongun dhe duke u hedhur i tëri në sulm, por pa e hedhur dot në "knock-out" kundërshtarin.

Gjithsesi, edhe kaq ka mjaftuar, pasi të tre gjyqtarit e ndeshjes ia ka dhënë fitoren 32-vjeçarit kuqezi, përkatësisht me 118-109,

117-110 dhe 118-109 pikë secili, duke fituar me vendim unanim me rezultatin 353-328. Kështu, boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, ka mbrojtur për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin "World Boxing Federation".

a.k/NOA

KOMENTE