Tiranë, 3 maj, NOA Update – Mediat në Shqipëri ende nuk kanë arritur lirinë e tyre të plotë gjithsesi, pasi ajo është multidimensionale. Ato vërtet kanë akses dhe liri të plotë në qeveri apo administratë, por jo me pronarët e tyre dhe grupet e interesit.
Me të tilla vlerësime, kreu i qeverisë Sali Berisha ka komentuar gjendjen në të cilën ndodhen mediat aktualisht në Shqipëri, duke i përshëndetur gazetarët në një konferencë shtypi me rastin e Ditës Botërore për Lirinë e Shtypit.
“Mediat shqiptare kanë përmbushur misionin dhe konsoliduar pushtetin e tyre. Ky ka qenë një vit me ngjarje madhore në historinë e këtij vendi dhe të gjitha mediat, kanë qenë në lartësinë e duhur, në informimin e shqiptarëve dhe detyrën e tyre”, komentoi më tej kreu i qeverisë.
Duke shtuar se qeveria e tij është respektuese e plotë e pavarësisë dhe lirisë së mediave.
“Jam krenar që kjo mazhorancë në mandatin e saj të parë dhe të dytë nuk lejoi qoftë edhe një proces të vetëm gjyqësor nga administrata kundër gazetarëve. Në Shqipëri mori fund farsa e gjyqësorit, ndaj mediave të lira”, bëri me dijeni kryeministri.
n.e/NOA