Sarajevë, 3 maj, NOA - Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Forumit të Salsburgut dhe të Ballkanit Perëndimor, iu drejtuan me një letër Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, përmes së cilës kërkojnë liberalizim pa vonesa të vizave me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Duke vlerësuar përmbushjen nga ana e këtyre dy vendeve të kritereve të Udhërrëfyesit, nënshkruesit shprehën në këtë letër angazhimin dhe mbështetjen e tyre të plotë për kryerjen pa vonesë të të gjitha procedurave dhe shmangien e barrierave administrative, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të përfitojnë sa më shpejt nga liberalizimi i vizave.
Nënshkruesit e këtij dokumenti, kanë qenë që të gjithë pjesëmarrës në konferencën e Sarajevës mbi “Dialogun Ndërkulturor dhe Sigurinë e Brendshme”, ku nga pala shqiptare ishte i pranishëm zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka.
Ai kryesoi një nga katër pjesët tematike të konferencës me temë ‘Dialogu ndërkulturor si një instrument kundër radikalizimit dhe rekrutimit”, ku midis të tjerash vuri theksin në harmoninë ndërfetare në Shqipëri.
Më tej, në këtë konferencë, ministrat e Brendshëm adoptuan një deklaratë të përbashkët ku theksohej rëndësia e dialogut ndërkulturor në vendosjen e lirisë, barazisë dhe sigurisë. Synimi i përbashkët, është integrimi i suksesshëm, i cili ndryshe nga asimilimi sjell stabilitet në rajon dhe që mund të arrihet duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
n.e/NOA