Tiranë, 03 maj, NOA – Presidenti Bamir Topi u shpreh sot se është e nevojshme që institucionet e kontrollit të pasurive të bashkëpunojnë në rang rajonal për të mundësuar zbardhjen e të ardhurave të gjithë zyrtarëve të lartë.
Ai u shpreh se nga kontrolli i pasurive nuk duhet të shpëtojë asnjë funksionar publike, duke nisur nga zyrtari më i thjeshtë e deri të Presidenti i Republikës.
Deklarata e kreut të shtetit u bë sot në takimin “Bashkëpunimi ndërkombëtar në Deklarimin e Pasurive dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesave – një instrument kundër korrupsionit”.
“Zyrtarët zgjidhen në emër të qytetarëve, bëjnë karrierë me besimin e tyre, mandatohen për t’u shërbyer atyre dhe duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të përballen me kritikat dhe ankesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Fenomeni i kundërt do të dobësonte demokracinë”, u shpreh Topi duke folur për rëndësinë që ka figura e zyrtarit.
Ai shtoi se qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, “kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri tek Presidenti”.
m.xh/NOA