English

Pozicionimi i medias, jo nga keqardhja e momentit

Gjërat nuk mund të shikohen me lupë. Ndonjëherë njeriu, pavarësisht nga ç’pozicion është mundet që t’i krijohet dhe ndonjë keqardhje e momentit, por ai duhet të dijë ta kalojë këtë moment për të vlerësuar se cili është dominanti. Ndryshe do të bënim vetëm leksione për demokracinë dhe nuk do të ishim konkludues të saj.

Nga Bamir Topi*

Ju falënderoj për ardhjen në këtë ditë të shënuar, e cila në fakt është dita juaj! Unë kam pasur rastin që të jem në kontakt me të gjithë ju, në situata nga më të ndryshmet gjatë karrierës sime politike dhe profesionale. Sigurisht që janë me orë komunikimet, që kam preferuar gjithnjë t’i bëj drejtëpërdrejt.

Sot me këtë cilësi dhe për të respektuar këtë ditë të shënuar unë e kam formalizuar fjalën time, në respektin e kësaj dite, në respektin e institucionit tuaj dhe natyrisht kjo ditë bëhet edhe më e vlerësuar në një moment të rëndësishëm të Shqipërisë, të jetës së saj, e cila herë pas here edhe komplikohet nga marrëdhëniet që ekzistojnë midis partive politike, por edhe midis atyre që janë në strukturat e institucioneve shtetërore, por edhe të grupeve të interesit, të shtetit dhe të qytetarit, pra, besoj se më mirë se kushdo tjetër jeni ju që i analizoni, i vlerësoni, keni luksin të prononcoheni hapur, sepse shpeshherë njerëzit që janë në strukturat shtetërore dhe subjektet politike ndoshta janë edhe të kondicionuar nga rrethanat, konjukturat dhe nga niveli i demokracisë së brendshme që në ndonjë rast të jenë më të rezervuar për të shprehur mendimin.

Aktorët institucionalë duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të ekuilibrojnë jetën e institucioneve, të gjejnë mundësisht atë mesin e artë, apo mesataren teorike. Pra, të gjitha këto që thashë, i thashë për të pasqyruar një realitet që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh kudo, por duke e bërë këtë lloj vlerësimi të karakterit relativ nuk bëj gjë tjetër vetëm vlerësoj misionin e medias, të gazetarëve, të cilët nga ana ime kanë vetëm vlerësim. Gjërat nuk mund të shikohen me lupë. Ndonjëherë njeriu, pavarësisht nga ç’pozicion është mundet që t’i krijohet dhe ndonjë keqardhje e momentit, por ai duhet të dijë ta kalojë këtë moment për të vlerësuar se cili është dominanti. Ndryshe do të bënim vetëm leksione për demokracinë dhe nuk do të ishim konkludues të saj.

Kështu që edhe një herë ju falënderoj për gjithçka që keni demonstruar, por i duhet dhënë jetë atij debati që ndonjëherë mungon, por që tek ju asnjëherë nuk ka munguar! Jeni bërë jo vetëm interpretë të asaj që kërkojnë demokracia, jeni bërë interpretë në mjaft raste të qytetarëve, ndonjëherë jeni bërë interpretë edhe të grupeve politike, kjo është e natyrshme edhe në momente shumë të rëndësishme të jetës së vendit, por ne duhet të vlerësojmë atë që është substanciale tek misioni i medias, misioni i gazetarisë dhe për këtë ju vlerësoj. Ndoshta ndonjëherë unë mund të jem konsideruar sikur e kam tepruar në komunikim me gazetarët e terrenit, ka qenë një komunikim gjithnjë shumë i sinqertë. Asnjëherë gazetari nuk mund të vijë në nivelet më të larta të interpretimit të misionit të tij pa i kaluar disa shkallë dhe kur bëhet vlerësimi për mediat, natyrisht duhet bërë vlerësimi në tërësinë e vet. Gjithmonë ato kanë shansin të kenë sukses kur vetë e konsiderojnë punën e një mediaje të caktuar në ekip. Kështu që unë besoj se edhe sot, ndonëse e kam prononcuar shpesh, nuk e besoj se e kam tepruar duke vlerësuar dhe punën e gazetarëve të terrenit, të cilët tentojnë të marrin gjithmonë lajmin e parë, tentojnë gjithmonë të marrin prononcimin edhe atëherë kur aktorët politikë, apo institucionalë kërkojnë të sillen ndryshe, mundësisht t’i shpëtojnë një prononcimi, apo tentojnë të bëjnë një prononcim të shpejtë dhe të ikin. Kështu që një vlerësim për të gjithë dhe unë po kaloj tani tek fjala ime e formatuar në funksion të kësaj dite.

Të nderuar gazetarë dhe drejtues mediash,

Zonja dhe zotërinj,

Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes të gjithë gazetarët shqiptarë kudo që janë, të cilët më shumë se kushdo tjetër kanë ndikuar në zhvillimet demokratike dhe në mënyrën tonë të përditshme të komunikimit.

Pas këtij rrugëtimi njëzet-vjeçar në liri, të gjithë jemi të bindur që media është një vlerë e shenjtë e demokracisë. Kjo bindje përligj interesin e shoqërisë, të institucioneve, organizmave, grupimeve, të vetë insitucionit të Presidentit për t’i shërbyer kësaj vlere, për ta ndihmuar e garantuar atë çdo ditë e më shumë. Shkalla e lirisë së medias tregon shkallën e pjekurisë së demokracisë.

E drejta për lirinë e mendimit dhe shprehjes është një e drejtë themelore, e cila siguron ushtrimin e të gjitha të drejtave të tjera dhe është jetike në forcimin e demokracisë.

Në këto dy dekada sistemi i mediave është plotësuar, falë edhe zhvillimeve të tregut të lirë me investime cilësore teknologjike në industrinë radiotelevizive, apo në shtypin e shkruar.

Gjithashtu një elitë e re profesionale është krijuar dhe tashmë konsiderohet e konsoliduar. Ajo tashmë është konfirmuar profesionalisht dhe ka integritetin e duhur moral. Përgatitjen e kësaj shtrese e ka bërë sistemi i edukimit publik e në vitet e fundit, edhe ai privat, si dhe sistemi i edukimit perëndimor ku një pjesë e mirë janë specializuar dhe më kënaqësi vërejmë një ngritje të nivelit intelektual e kulturor të njerëzve të medias.

Tashmë përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt. Sigurisht një pushtet jo i zgjedhur, por si i tillë nga marrëdhënia që ai ka me të vërtetën. E vërteta duhet të jetë kufizimi i vetëm i lirisë së medias dhe të gazetarëve si dhe pika e tyre e arritjes. Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t’ia shpërfytyrojnë natyrën.

Tashmë ne kemi kuptuar pa ekuivok se të gjitha statuset sociale vihen në rrezik kur rrezikohet statusi i gazetarit. Sistemi i mediave në qendër duhet të ketë gazetarin dhe për këtë duhen rregullimet e nevojshme ligjore që e garantojnë këtë marrëdhënie, sepse vetëm kështu ata mund të jenë partnerë të denjë të publikut.

Puna e gazetarit është një kërkim i vazhdueshëm dhe ndershmëria profesionale është guri i themelit për besueshmërinë tonë ndaj tij.

Fuqia e madhe që ata kanë njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe për të shmangur tundimet për sensacion, për të respektuar të drejtën e individit për privatësi, apo që t’u japin mundësinë atyre që kritikohen publikisht për t’u mbrojtur publikisht në mënyrë që sfera private të mos ngatërrohet me atë publike .

Gazetarët janë dhe mund të jenë akoma dhe më shumë kontribues të dialogut shoqëror, të kulturës së bashkëjetesës me mendimin kritik – shenjë kjo e modernitetit. Partneri nuk është kundërshtar dhe kundërshtari nuk është armik.

Prandaj standardet etike nuk duhet të jenë produkt i rrethanave të rastit, por një vlerë e lartë morale e shoqërisë. Etika nuk është e barabartë me ligjin dhe detyrimet etike nuk janë të ngjashme me rregullat ligjore. Ligji është një detyrim, një cak që nuk mund të shkelet. Ai trajton standardet minimale ndërsa etika sjelljen ideale që dëshirojmë.

Të gjithë përbërësit e shoqërisë duhet të perceptojnë që liria mediatike nuk është vetëm liria politike që kemi fituar, por një tërësi marrëdhëniesh politike e tradicionale, ato me teknologjinë si dhe me nivelin e zhvillimit të shoqërisë.

Marrëdhëniet moderne media-shoqëri nuk konsiderohen të realizuara thjesht në momentin kur shoqëria informohet. Jo, problemi është sa reaguese është ajo ndaj problemeve që media ngre.

Një shoqëri e informuar që hesht e dëmton lirinë mediatike dhe lirinë në tërësi po aq sa një shoqëri e mbyllur që e pengon informacionin.

Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme.

Realisht kjo fjalë mund të tingëllojë edhe si një estrakt i leksioneve që kurrësesi nuk dëshiroj që të konsiderohet si e tillë, sepse përtej formalizimit të një fjalie, aq më shumë në një auditor me analistë dhe gazetarë shumë të shquar do të ishte e tepërt që, qoftë edhe nga pozicioni im, të kishte mesazhe që tingëllojnë të tepërta për t’u arbsorbuar nga ju.

E kam parë dhe do të vazhdoj ta shikoj, pavarësisht nga pozicioni që unë kam sot, sepse jeta vazhdon pavarësisht nga ai pozicion që ti okupon në një moment të caktuar. Njeriu nuk është e thënë të jetë në një pozicion për të kuptuar dhe për të kontribuar për nevojat e demokracisë. Elita politike gjithmonë do të jenë në lëvizje që është dhe rregulli një i demokracisë, por kemi parë gazetarë, të cilët edhe kur i kalojnë të nëntëdhjetat mbeten pika të rëndësishme reference për një vend, për një komb, për një kontinent, por edhe në nivel global. Kështu që diferenca midis gazetarëve dhe atyre që sot, nesër janë në politikë dhe institucione është një diferencë e madhe. Është një diferencë, sepse të gjithë kontribuojmë në një moment të caktuar në një pozicion, ndërsa ju jeni kontribues të vazhdueshëm. Por, edhe kjo është e kondicionuar nga një binom që duhet ta ketë çdo njeri, nga integriteti, që unë besoj se ju e keni dhe nga profesionalizmi, që besoj që ju e keni arritur dhe do e përsosni.

Edhe një herë duke ju falënderuar për prezencën, duke e konsideruar këtë takim jo vetëm si një ritual të përvitshëm, por të domosdoshëm për të marrë impulse të reja në punën time, ju falenderoj dhe ju uroj ditën e shënuar të gazetarit, të medias që është dhe dita juaj!

*Fjala e Presidentit Bamir Topi në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

KOMENTE