English

Topalli viziton në spital deputeten e sëmurë të grevës, Dade: Një gjest hipokrizie

Tiranë, 3 maj, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kreu sot një vizitë në Spitalin Ushtarak, tek deputetja socialiste Klodiana Spahiu, e cila gjendet e shtruar aty pas një përkeqësimi të shëndetit të saj gjatë tre ditëve të grevës së urisë.

Topalli bisedoi me mjekët për gjendjen e saj, si dhe u interesua për shëndetin e koleges Spahiu, duke shprehur kujdesin e saj për shëndetin e deputetes Klodiana Spahiu.

Duke biseduar personalisht me Klodianën, kryetarja e Kuvendit tha se “është e gatshme në çdo moment, për çdo nevojë shëndetësore që do të kenë deputetët grevistë”.

Nga ana tjetër, kjo vizitë e Topallit në Spitalin Ushtarak, u komentua prej deputetes socialiste, Arta Dade, si një gjest hipokrizie.

Në një prononcim për mediat, Dade tha se vizita e Topallit përbën një shou mediatik pasi ajo ka pasur kohë ta tregojë humanizmin e saj gjatë këtyre viteve në Kuvend.

"Vizita që Topalli po i bën deputetes bie ndesh me sjelljen e saj politike, duke përbërë kështu shembullin më të keq për politikën shqiptare”, tha Dade.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e kryeministrit Berisha, deputetja socialiste tha se ai duhet të lërë mënjanë pengesat për hapjen e kutive dhe propagandës që kryen.

n.e/NOA

KOMENTE