English

Bregu: Vlerësimi Për Procesin E Integrimit Europian Të Shqipërisë, I Bazuar Në Merita

- Zhvillohet në Bruksel mbledhja e Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri- BE - TIRANË, 4 Maj/ATSH/.- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kërkoi sot në Bruksel, "një vlerësim objektiv të procesit të integrimit evropian në Shqipëri, si një proces i bazuar në merita dhe që ndikon në fatin e shqiptarëve". Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Integrimit, sot u zhvillua në Bruksel mbledhja e Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri- BE, ku ishte i pranishëm edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. Në fjalën e saj, ministrja Bregu tha se "angazhimi politik për perspektivën evropiane të Shqipërisë faktohet nëpërmjet veprimeve konkrete". Në këtë drejtim ajo ftoi opozitën shqiptare që ta demostrojë këtë angazhim. "Ne ju kërkojmë të na jepni meritat për ato që kemi bërë dhe do të bëjmë. Ne nuk kërkojmë që procesi i integrimit të jetë dhuratë për shqiptarët, por meritë", tha znj. Bregu para komisionerëve europianë. Duke u ndalur tek situata aktuale politike në Shqipëri, ministrja Bregu nënvizoi se "prej 9 muajsh deklaratat nga Brukseli, pavarësisht krahut politik, kanë theksuar se opozita duhet të heqë dorë nga bojkoti dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet në Parlament, pra brenda institucioneve demokratike". "Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës përsëriti së fundi në deklaratë se Parlamenti është vendi për debat dhe atje mund të zgjidhet ngërçi politik, dhe se opozita mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese", tha Bregu. Sipas saj. "maxhoranca është plotësisht dakord me këtë deklaratë, por konstaton me keqardhje se kjo deklaratë është përkthyer nga z. Rama në një grevë urie, një formë kjo ekstreme për përshkallëzimin e presionit politik". "Z. Rama është humbësi i zgjedhjeve të 2009-s dhe nuk ka asgjë te keqe me këtë. Por të kesh makthin e humbësit dhe iluzionet e fituesit është disi e komplikuar", tha znj. Bregu. Duke iu përgjigjur deputetit Bostinaru, ministrja Bregu theksoi edhe një herë dy ofertat e vazhdueshme që i janë bërë opozitës: ose të zbatojë deklaratën e Këshillit të Evropës, që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ose të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar të ngritur me kërkesën e saj, të cilin në fund nuk e votoi./m.m/s.s./
KOMENTE