English

Durrës: Estrada, 50 Vjet Nga Premiera E Pare E Trupës Profesioniste

DURRËS 4 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Nesër mbushen 50 vjet nga premiera e trupës së parë profesioniste të varietesë në qytetin e Durrësit, por në teatrin e qytetit nuk është parashikuar asnjë festim për këtë ditë të shënuar të humorit profesionist të skenës. Regjisori i parë, Gjergj Vlashi në një intervistë për ATSH-në kujton shfaqjen "Vizitoni ekspozitën tonë" më 5 maj të vitit 1960, që shënoi edhe ditën e themelimit të Estradës profesioniste në qytetin bregdetar. "Që nga ajo ditë në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" janë ngjitur mbi 140 premiera, të cilat kanë sjellë te spektatorët e shumtë jo vetëm humor, por kanë evidentuar mjaft aktorë të talentuar dhe të dashur për publikun," - shprehet ish-regjisori Vlashi. "Spiro Strati, Meropi Xhoja, Sandër Pepa, Lumturi Dashi, Ramazan Njala e Enver Likmeta ishin artistët e parë që mbërritën nga radhët e lëvizjes amatore, ndërsa më pas trupa u shtua me aktorë të tjerë mes të cilëve Aishe Stari, Harallamb Koça, Muharrem Hoxha, Fadil Hasa, etj", kujton regjisori 82-vjeçar. "Lëvrimi i elementëve alternativë si teatri i hijeve apo i kukullave brenda shfaqjes, imitimet, fjala artistike apo parodia e kupleti si dhe kërkimi i detajit të veçantë për të krijuar brenda kohës së shkurtër të një skeçi një personazh apo një situatë komike e bënë trupën e Durrësit mjaft të vlerësuar në të gjithë vendin", shton aktorja veterane Aishe Stari. "Kush e ka radhën", që u vlerësua me çmimin e parë në festivalin e humorit për fëmijë ishte një shfaqje e mbështetur te intepretimi dhe konkurimi i nxënësve, që luanin në skenë pranë aktorëve profesionistë", kujton Stari. Dekoret e kursyera e domethënëse përgatiteshin fillimisht nga skenografët Zef Ujkaj, e më pas nga Ilia Rota, Nikolet Vasia, etj., ndërsa muzikantët e njohur Enver Mara, Skënder Myshketa dhe Petraq Dhamo përgatisnin këngëtarët dhe orkestrën profesioniste të atashuar pranë trupës. Komedia "Mashtruesit" e Llambos Mallamas apo "Patriarkali modern" i Dionis Bubanit, inskenimi i komedive "14 vjeç dhëndërr" dhe "Pas Vdekjes" të Andon Zako Çajupi, apo vënia në skenë e operetës "Këngë për detin" ishin disa nga shfaqjet e viteve 1960-1980, që "dolën" nga korniza e një spektakli të zakonshëm të varietesë. Premiera "Sofra ballkanike" në vitin 1989 solli në skenë disa nga autorët më të njohur të humorit dhe satirës si Azis Nesin (Turqi), Jon Luka Karaxhale (Rumani), Dritëro Agolli (Shqipëri), etj. Regjisori Haxhi Rama, i cili që nga fillimi i viteve 1970 ka punuar herë pas here me teatrin e estradës, vazhdon të drejtojë që nga viti 1990 trupën profesioniste të varietesë së Durrësit. Megjithë vështirësitë financiare, listës së premierave në vite i janë shtuar plot shfaqje të tjera. Trupa e varietesë së Durrësit përveç premierave në skenën e qytetit është duartrokitur në shfaqjet e shumta në të gjitha qytetet e vendit si dhe është vlerësuar me çmime nderi në festivalet kombëtare të estradës. Tashmë, mungesa e kujdesit të drejtorisë së teatrit për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme në jetën kulturore të qytetit nuk është pritur mirë nga ana e artistëve veteranë të trupës së estradës "Aleksandër Moisiu", një nga më të njohurat në vend./ch/
KOMENTE