English

Durrës: "Java Evropiane", Veprimtari Kulturore Në Bashkitë E Qarkut

DURRËS 4 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - "Durrësi, Rajon Evropian" është slogani i veprimtarive shumëplanëshe që nisën të hënën dhe do të vazhdojnë për një javë në gjashtë bashkitë e këtij qarku. Gjitçka është organizuar nga këshilli i qarkut në kuadër të 9 majit 1950, ditës kur ministri i Jashtëm francez Robert Shuman propozoi zyrtarisht idenë e krijimit të një institucioni të përbashkët ekonomik dhe politik të Evropës së Bashkuar. Në Javën Evropiane është parashikuar hapja e ekspozitës arteve figurative dhe konkurset mes nxënësve të shkollave të mesme, me temë "Shqipëria dhe Bashkimi Evropian", konkursi për esenë më të mirë për të njëjtën temë me studentët e universitetit "Aleksandër Moisiu", një sërë koncertesh të ansamblit folklorik në qytete dhe komuna të ndryshme, performanca të kërcimit modern nga kompani të huaja teatrore, koncerti i orkestrës së harqeve "Jan Kukuzeli" si dhe një festë përmbyllëse në sallën e teatrit të qytetit. Në seminarin "Dialogu interkulturor, parim bazë i qytetarisë demokratike dhe integrimit evropian" me të cilin u hap "Java Evropiane" kryetari i Këshillit të qarkut, Seit Kërtusha tha se Durrësi është pjesë e pandashme e hapave të rëndësishëm që vendi ynë ka hedhur në drejtim të bashkimit me familjen e madhe evropiane. Nisma e ndërmarrë në bashkëpunim me gjashtë bashkitë e qarkut synon njohjen e qytetarëve me zhvillimet aktuale të Bashkimit Evropian dhe obligimet e vendit tonë në këtë drejtim, pikërisht në prag të liberalizimit të vizave-tha Kërtusha. Në prani të prefektit Genc Alizoti, kryebashkiakut Vangjush Dako dhe drejtuesve të pushtetit vendor, pedagogë të njohur të universiteteve të ndryshme të vendit bashkëbiseduan me studentë, të rinj dhe intelektualë të qytetit mbi historinë dhe zhvillimet politiko-ekonomike të BE-së, që nga hapi i parë i i 9 majit të vitit 1950. Prof. Adrian Civici, rektor i Universitetit Evropian të Tiranës dhe Prof. Xhezair Zaganjori trajtuan fenomenet evropiane dhe shqiptare të integrimit si dhe zhvillimet aktuale në BE, Prof. Agim Kukeli, rektor i Universitetit të Durrësit foli mbi infrastrukturën ekonomike të BE, ndërsa dr. Grida Duma, shefe e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës trajtoi temën "Integrimi evropian në dimensionet e zgjerimit dhe thellimit, sfida më e madhe për shoqërinë shqiptare". Në mjediset e pallatit të kulturës "Aleksandër Mosiu" është hapur ekspozita e nxënësve të shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli", ku janë paraqitur 28 punime, në të cilat piktorët e rinj janë frymëzuar nga lidhjet e gjithanëshme të Durrësit me Evropën. Në odeonin "Nikolin Xhoja" të rinj nga 8 shkolla të mesme të qarkut kanë filluar konkurimin me temë "Shqipëria dhe Bashkimi Evropian". "Java Evropiane" do të finalizohet të shtunën në mbrëmje me një koncert të madh festiv, në të cilin do të shpallen edhe fituesit e konkurseve të organizuara gjatë një jave në Durrës./ch/
KOMENTE