Ekonomi - Greqi - Plani I Masave Të Rrepta Do Të Votohet Të Enjten Në Parlament
ATHINË, 4 maj /ATSH-AFP/ - Ministria greke e Financave njoftoi sot dërgimin në parlament të projektligjit të dytë që përfshin masat e rrepta ekonomike të miratuara të dielën nga vendi, për t'u votuar të enjten, në të njëjtën kohë me elementin fiskal të planit të paraqitur që dje.
Këto projektligje pritet të miratohen nga shumica prej 160 ndër 300 deputetë që qeveria socialiste ka në parlament, ndërkohë që opozita e djathtë nuk ka bërë të ditur ende cilën linje do të miratojë.
"Masat me efekt të menjëhershëm përfshijnë rritjen e përqindjes së TVSH-së me dy pikë, rritjen e taksës për naftën, duhanin dhe alkoolin, zvogëlimet e tjera të pagave të sektorit publik dhe të pensioneve", shtoi ministria në një komunikatë.
Kontrolli i parë i zbatimit të planit të masave të rrepta ekonmike, i miratuar në këmbim të zhbllokimit nga BE-ja dhe FMN-ja të ndihmës tre vjeçare prej 110 miliardë eurosh, do të kryhet në fund të qershorit nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të FMN-së, thuhet në këtë komunikatë.
Vlerësimi, nga i cili do të varet zhbllokimi gradual i huave, do të vazhdojë më tej me një ritëm tremujor.
Ky plan i shtrëngimit të rripit synon që deficiti publik, që ka arritur në rreth 14 për qind në vitin 2009, të arrijë në fund të vitit 2014 normat e paktit të stabiliteti, me një kuotë prej më pak se 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB.
/I.Pu.