English

Fishë Teknike - Islandë - Vullkani Eyjafjoll: Datat Kryesore Që Prej Shpërthimit

PARIS, 4 maj /ATSH-AFP/ - Reja e hirit të lëshuar gjatë fillimit të aktivitetit të vullkanit islandez që pengoi përsëri sot trafikun ajror në Irlandë, shkaktoi në prill një kaos të paprecedent në trafikun ajror evropian, duke prekur shumë aktivitete në të gjithë botën. - 14 PRILL: Vullkani Eyjafjöll që ndodhet nën akullnajën Eyjafjallajokull fillon të nxjerrë një re hiri që arrin deri në 9 000 metra lartësi. Erupsioni shkakton tërmete të shumtë dhe përmbytje. Evakuohen 800 persona. Norvegjia njofton mbylljen e një pjese të hapësirës së saj ajrore. - 15: Reja gjigante bllokon trafikun ajror në veri të Evropës: mbyllen gradualisht hapësira ajrore në Britani, Irlandë, Danimarkë, Holandë, Suedi dhe Belgjikë. Anulohen rreth 6 000 fluturime në Evropë. - 16: Bllokimi i trafikut zgjerohet. Në Francë, mbyllen 23 aeroporte, ndër të cilët Roissy dhe Orly. Trafiku ajror në Islandë është një nga të paktët plotësisht i hapur. Miliona udhëtarë mbeten të bllokuar në të gjithë botën. - 17: 21 vende evropiane janë prekur. Rreth 17 000 fluturime nga 22 000 të parashikuara janë anuluar. - 18: Në Evropë, 313 aeroporte janë bllokuar, preket 80 për qind e rrjetit. Disa kompani ajrore bëjnë fluturime provë, duke ushtruar presion mbi autoritetet për rihapjen e hapësirave ajrore. Shumë liderë botërorë nuk mund të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit polak Lech Kaczynski në Krakovë. - 19: Shoqata ndërkombëtare e transportit ajror (IATA) kritikon ashpër administrimin e krizës dhe kërkon hapjen të paktën përkohësisht të hapësirës ajrore evropiane. Marrëveshje në BE për lehtësimin e kufizimeve të fluturimit. Hapësira ajrore ndahet në tri zona, njëra prej të cilave e ndaluar për trafikun. - 20: Vullkani fillon të lëshojë llavë dhe më pak hi. Fillon zhbllokimi i trafikut ajror. - 21: Gjatë ditës kryhen 22 189 nga 28 087 fluturime të njoftuara. - 23: Mbyllet aeroporti i Rejkjavikut. I rikthehet normalitetit trafiku ajror evropian. Që prej datës 15 janë anuluar 100 000 fluturime, duke penguar udhëtimet e 10 milionë personave. Përveç turizmit, humbjet e të cilit arrijnë në 1,72 miliardë euro, janë prekur edhe shumë sektorë të ekonomisë. - 4 MAJ: Për shkak të një reje tjetër hiri, fluturimet nga dhe me destinacion Irlandën anulohen për disa orë. Mbledhje e ministrave të bllokut evropian të Transportit për të shqyrtuar mundësinë e dëmshpërblimit të kompanive ajrore dhe për të shmangur një kaos të ri në të ardhmen. /I.Pu.
KOMENTE