Fule: Rama, Përgjegjësi Personale Për Shëndetin E Grevistëve
TIRANË, 4 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule shprehu sot shqetësimin për mungesën e një dialogu politik konstruktiv në Shqipëri dhe se, greva e urisë i shton përgjegjësinë më shumë liderit të opozitës për gjendjen shëndetësore të grevistëve.
Fule tha se "jam i shqetësuar për mungesën e një dialogu politik konstruktiv në Shqipëri. Jam i shqetësuar nga mungesa e funksionimit të plotë të Parlamentit në vend".
Po kështu, ai u shpreh i shqetësuar edhe nga greva e urisë e një grupi deputetësh socialistë që ka filluar së fundmi.
"Kjo grevë shtyn në mbajtjen e pozitave edhe më të kundërta dhe konfrontuese. Greva e urisë nuk heq përgjegjësinë e të gjitha palëve për gjetjen e zgjidhjes bazuar mbi dy parimet: kornizën kushtetuese dhe transperencën. Më vjen keq, por më duhet të them, se greva e urisë i shton përgjegjësinë më shumë liderit të opozitës për gjendjen shëndetësore të grevistëve", nënvizoi Komisioneri Fule.
Nga dje, një delegacion i Kuvendit, që ka në përbërje deputetë të pozitës dhe opozitës ndodhet në Bruksel në kuadër të takimit dy-ditor të Komisionit të Asociim-Stabilizimit mes BE dhe Shqipërisë.
Në takimin e parë të këtij Komisioni, përfaqësues të institucioneve europiane janë deklaruar kundër grevës së urisë së Partisë Socialiste. Sipas eurodeputetëve, bojkoti dhe protestat e opozitës dëmtojnë imazhin e vendit dhe bllokojnë integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian./n.m/