Tiranë, 4 maj, NOA - Ish-të burgosurit dhe ish-të përndjekurit politikë kanë zhvilluar sot një protestë para selisë së Partisë Socialiste, në shenjë reagimi kundërshtues ndaj nismës së ndërmarrë nga kjo forcë politike për protestë maratonë dhe grevë urie poshtë godinës së Kryeministrisë.
Në të njëjtën kohë, ata kanë protestuar edhe kundër aktit të djegies së flamurit të NATO-së gjatë protestës së opozitës.
Duke i cilësuar si “bij të komunistëve”, ish-të përndjekurit politikë kanë hedhur parrulla gjatë protestës së tyre se ata nuk i mbrojnë dot të drejtat e tyre.
Ndërkaq, në deklaratën përkatëse të shoqatës së ish-të burgosurve dhe ish-të përndjekurve politikë citohet se ata “nuk besojnë se Rama do të bëjë të njëjtën gjë që bëri edhe Enver Hoxha pasi Shqipëria është në rrugën e integrimit”.
Duke vlerësuar se vendi është tashmë drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut dhe Bashkimin Evropian, ata kanë pohuar se socialistët po e pengojnë këtë proces me nismat e tyre.
Të mos harrojmë se vetëm pak ditë më parë, u publikuan pikat e reja të statusit të Partisë Socialiste, dalë nga Kongresi i fundit i kësaj force politike, ku të përndjekurit politikë shiheshin si kategori që ftoheshin pranë saj.
n.e/NOA