Kanë, 04 maj, NOA - Do të jetë ndoshta një nga prezantimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në Kanë 2010. Shqipëria kap shansin e prezantimit të prodhimeve kinematografike shqiptare të tri viteve të fundit.
Më së fundi të gjithë së bashku në një prezantim shqiptar. Deri më sot garat dhe prezantimet e filmave shqiptarë kanë qenë kërkesë dhe ambicie e regjisorëve, pa e kapërcyer cakun e një prezantimi të plotë të filmit shqiptar, aq më tepër në festivale të kategorisë A.
Në pavijonin e vendeve të Evropës Juglindore, nga data 12-21 maj, Kana bëhet pritëse e gjashtë regjisorëve dhe producentëve shqiptarë dhe prodhimeve të tyre filmike.
Shqipëria, bashkë me vende të tjera të Evropës Juglindore, prezanton në Tregun e Filmit (Marche du Film), të Festivalit të Kanës (12 -23 maj) prodhimet filmike të këtyre tri viteve të fundit. Është hera e parë që rrjeti i kinemave të Evropës Juglindore prezantohet në një pavijon të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë.
Nën logon South-East European Pavilion, prezantojnë prodhimet e tyre filmike shtetet si: Maqedonia, Bosnja, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Qipro dhe Shqipëria.
Festivali i Kanës është ngjarja më me rëndësi për kineastët, sidomos të vendeve të vogla, për krijimin e kontakteve dhe prezantimi e punës së tyre. Më 12 maj, në Kanë, shkojnë 6 regjisorë dhe producentë shqiptarë Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj.
Hapësira e pavijonit shqiptar prej 200 m2, do të ketë mundësinë e ekspozimit të afisheve, katalogëve, broshura, manualë, DVD dhe trailer-a të filmave të tri viteve të fundit. Prezantohen filmat: "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit, "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" i Spartak Pecanit, "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, "Honey Moon" i Goran Paskaljeviçit. Në këtë prezantim edhe një film shqiptar, prodhuar në Kosovë, i titulluar "Refren për Kosovën" (Requiem for Kosova), me regji dhe skenar të Dhimitër Ismailaj, që shfaqet në seksionin Short Film Corner. Është realizim i vitit 2010, bashkëprodhim i shtëpive filmike nga Kosova: "Dyrrachium Production" dhe "Akt Production".
Kujdes i veçantë duket se i është kushtuar filmave "Gjallë" i Artan Minarollit, "Koha e Kometës" i Fatmir Koçi dhe "Lindje-Perëndim-Lindje" i Gjergj Xhuvanit që veç trailerave, afishet e filmave do të ekspozohen edhe në muret e brendshme të pavijonit.
Në këtë pavijon prezantohen edhe trailerat e filmave në postproduksion, duke u sjellë një promovim për distribuimin dhe prezantimin paraprak të prodhimeve kinematografike të reja. Në këtë vitrinë janë trailerat e filmave: "Balkan Pazar" me regji të Edmond Budinës, "I huaji" i Pluton Vasit, "Farmakon" me regji të Joni Shanajt , "Out of Touch" me regji të Andi Delianës, "Shqiptari" i Johannes Naber.
m.s/NOA