Tiranë, 4 maj, NOA – Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, përmes një deklarate për shtyp, ka reaguar kundër asaj që e ka vlerësuar si “bllokim i dhunshëm i drejtuesve të Partisë Socialiste ndaj ekipeve të gazetarëve dhe operatorëve të këtij stacioni publik në përcjelljen e grevës së urisë që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Radio Televizioni Shqiptar është shumë i shqetësuar nga veprimi antiligjor dhe antikushtetues i zëdhënëses së Partisë Socialiste, e cila me forcën e bodigardëve ka ndaluar gazetarin Arsen Hoxha që të kryente detyrën e tij”, citon drejtori i Këshillit Drejtues të RTSH, Agron Tufa.
Sipas tij, “jemi të skandalizuar, pasi kemi mësuar se ky nuk ishte një vendim personal i zëdhënëses së Partisë Socialiste, por zbatim i urdhrit të kryetarit të saj, Edi Rama”.
“Moslejimin e gazetarëve të TVSH-së në mbulimin e kësaj ngjarje e konfirmoi vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pas një bisede telefonike me Drejtorin e Aktualitetit, Artur Kopani. Për më tepër kryetari i opozitës e ka paralajmëruar Televizionin Publik Shqiptar “Të mos afrohet në mjediset e grevës”, përndryshe “ai dhe Partia Socialiste nuk do të mbajnë përgjegjësi për çfarë mund të ndodhë”, citon deklarata në fjalë.
Duke përfunduar se “drejtuesve të Radio-Televizionit shqiptar u duket paradoksale, që një grevë politike paqësore, siç proklamohet, të ushtrojë shantazh dhe të pengojë të drejtën e gazetarëve tanë për informimin e publikut”.
“Eshtë veprim i dënueshëm që gazetarëve tanë t’u cungohet liria e shprehjes dhe informimit, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në nenet 21 dhe 23, ku thuhet se “E drejta e shprehjes dhe e informimit është e garantuar”, citon ajo.
n.e/NOA