English

Këshilltarët demokratë të Bashkisë: Greva, po rëndon trafikun në Tiranë

Tiranë, 4 maj, NOA - Grupi i këshilltarëve demokratë të Bashkisë së Tiranës me anë të një deklarate të posaçme për shtyp, kanë parashtruar shqetësimin e tyre mbi rëndimin e trafikut në kryeqytet, shkaktuar sipas tyre nga greva e urisë së socialistëve.

“Shprehim shqetësimin tonë për trafikun e tejrënduar dhe kaotik të shkaktuar nga greva e urisë së deputetëve të Partisë Socialiste dhe z.Rama. Eshtë cinike dhe në shkelje të plotë të ligjit të deklarosh se ‘unë jam kryetar i Bashkisë dhe trafikun e bëj si të dua”, nënshkruan Taulant Bino, këshilltar demokrat në Bashkinë e kryeqytetit.

Ai parashtron më tej pyetjet se “çfarë ofron greva e urisë për qytetarët e Tiranës dhe si u shërben kryetari i Bashkisë qytetarëve të vet?”.

Sipas tij, janë të shumta dëmet ndaj qytetarëve që po mbërrijnë pas kësaj si “vonesa në qarkullim me të paktën 45 minuta më shumë, vogëlushë që nuk arrijnë dot në kopshte e shkolla në kohën e duhur, prindër që shkojnë me vonesë në punë, ndotje e ajrit dhe rritje e zhurmave në qendrat e banuara, më shumë karburant e më shumë shpenzime për të qarkulluar etj.

“Duke bllokuar bulevardin kryesor të kryeqytetit, Rama po fut në kolaps trafikun dhe bashke me të, jetën normale të qytetarëve. Kemi të bëjmë me rastin e vetëm kur organizimi i një greve urie nuk kërkon ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi shqetësimin e grevistëve, por shkatërrimin e jetës së qytetarëve”, citohet në këtë deklaratë të këshilltarëve demokratë të Bashkisë së Tiranës.

Duke përfunduar se “askush nuk e ndalon Ramën dhe deputetët e Partisë Socialiste të vazhdojnë grevën e tyre në çdo lloj mjedisi tjetër, porse zgjedhja e bulevardit kryesor është bërë me qëllimin e vetëm të paralizimit të jetës”.

n.e/NOA

KOMENTE