English

Kosovë-Francë: Hyseni E Kouchner Për Bashkërendim Aktivitetesh Pas Mendimit Këshilldhënës Të Gjnd-Së

PRISHTINË, 4 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Francës, Bernard Kouchner, në një takim mbrëmë në Paris, kanë diskutuar për nevojën dhe rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare tv Drejtësisë, dhe në këtë kontekst, edhe për procesin e njohjeve të reja të Kosovës. Sipas njoftimit që sapo dha Ministria e Jashtme e Kosovës, "ata kanë zhvilluar një bisedë miqësore dhe shumë thelbësor për një sërë procesesh të rëndësishme në dhe rreth Kosovës, duke u përqendruar veçanërisht te samiti i Sarajevës, liberalizimi i vizave, procesi i njohjeve dhe bashkërendimi i veprimeve në periudhën pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatvs Ndërkombëtare të Drejtësisë". Në lidhje me samitin e Sarajevës, që planifikohet të mbahet me 2 qershor, ministri Hyseni riktheksoi se Kosova merr pjesë vetëm sipas formulës së zgjedhur dhe aplikuar gjatë takimit të ministrave të jashtme të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Pragë vitin e kaluar, e që njihet si GYMNICH. "Çdo format tjetër i përfaqësimit është i papranueshëm për Republikën e Kosovës", ka theksuar ministri Hyseni. Përsa i përket liberalizimit të vizave, Hyseni ka përsëritur qëndrimin se do të ishte gabim thelbësor po qe se Kosova mbetet shumë mbrapa në proceset e integrimeve në raport me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ai ka përsëritur kërkesën që Kosovës t'i jepet sa më parë një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave. Gjatë qëndrimit të tij në Paris, ministri Hyseni ka zhvilluar takime edhe me ambasadorë të disa vendeve të kontinentit afrikan, që nuk e kanë njohur ende formalisht shtetin e Kosovës. /s.s./
KOMENTE