English

Ksera: Ndërmarrje Sociale Për Grupet Në Nëvojë, Për Herë Të Parë Dhe Në Shqipëri

TIRANË, 4 Maj /ATSH, Erla Gjikolli/.- Një ligj, i cili ka nisur të hartohet nga strukturat e ministrisë së Punës në bashkëpunim me ekspertë italianë, parashikon që dhe Shqipëria, sikurse vendet e rajonit, të lejojë ngritjen e bizneseve dhe ndërmarrjeve sociale, të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet në nevojë. Në konferencën "Zhvillimi dhe Kohezioni Social", ministri i Punës, Spiro Ksera deklaroi se ngritja e ndërmarrjeve sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë përmes prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale dhe interes kolektiv. "Ligji do të krijojë kushtet e nevojshme për të inkurajuar iniciativa të zhvillimit të aktiviteteve prodhuese, me qëllim që të realizojnë të ardhura për të mbështetur shërbimet e tyre sociale. Fitimi është një mjet për të arritur objektivat sociale, që duhet të jetë pjesë e misionit për përfshirjen sociale, punësimin dhe riintegrimin e grupeve në nevojë", tha ministri Ksera. Sipas tij, ndërmarrjet sociale janë një hap më përpara se OJF-të, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të ndryshme social-shëndetësore, por dhe në strukturë dhe menaxhim, që mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Aftësia e tyre për të punësuar grupe dhe individë në vështirësi social-ekonomike, pritet të ndikojë ne rritjen e numrit të popullsisë të zënë me pune si dhe riintegrimin e kësaj kategorie. Këto lloj aktivitetesh nuk do të konsiderohen si nisma ndërmarjesh individuale private. Realizimi i të ardhurave nga aktivitetet prodhuese do të rrisë kapacitetet e shoqatave e do t'i bëjë më pak të varura nga donacionet e mundshme. Por dhe do te rrisë mundësinë e tyre për t'u bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit, nga njësitë e qeverisjes vendore apo donatorë të ndryshëm. Aktualisht, në Shqipëri ka nisma të tilla, si ndërmarrja e prodhimit të karrocave për personat me aftësi të kufizuar e ngritur në Vorë, pak kilometra larg Tiranës, ku punojnë vetë invalidët, por shpesh herë drejtuesit e saj janë gjendur në vështirësi financiare për shkak të mungesës së fondeve./a.ke/
KOMENTE