English

Kuteli, Ky Mjeshtër I Prozës...

TIRANË, 4 Maj/ ATSH- Suada Daci/- "Kuteli dhe letrarja" është libri i dytë që i kushtohet prozës së autorit e përkthyesit të njohur, Dhimitër Pasko, ose siç njihet nga të gjithë, Mitrush Kuteli, që erdhi në 43-vjetorin e tij të vdekjes në një aktivtet kulturor sot në Tiranë. Në mjediset e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve u organizua Pasditja letrare "Takim me Mitrushin", ku dhe u promovua libri i dytë i Behar Gjoka, "Kuteli dhe Letrarja" pikërisht në 43-vjetorin e vdekjes së tij. "Është libri im i dytë kushtuar veprës së Mitursh Kutelit", thotë për ATSH-në, autori Behar Gjoka, që shton se " është një përpunim më i gjerë i librit tim të parë "Proza e Kutelit", duke u përqëndruar akoma më shumë tek proza e tij". Prozën e Kutelit, ai e quan "një realitet i pakrahasueshëm në prozën shqipe". Behar Gjoka e thotë këtë pasi sikurse shprehet, "në këtë drejtim, Kuteli krijoi shkollën e vet të ligjërimit. Proza e shkrimit kutelian pati ndjekës të shumtë si Jakov Xoxën, Kasem Trebeshinën etj, të cilët nëse nuk do të kishin ndjekur përvojën e Kutelit nuk do të kishin prozën e sotme". E pranishme në këtë aktivitet, zv/ministrja e Kulturës, Suzana Turku e cilësoi Mitrush Kutelin si një figurat qëndrore të letërsisë së shekullit XX. "Mitrush Kuteli dhe vepra e krijuar prej tij shfaqet në letrat shqipe të gjysmës së parë të shek. XX jo vetëm si një emër i nënrenditur krijuesi, por si dukuri letrare, që do të ridimensiononte krejt sistemin letrar shqiptar, por duke mbrojtur në të edhe modernitetin", tha Turku. Sipas saj, "moderniteti në prozën e tij ndërtohet mbi dy parime bazë, në lëvrimin e leksikut dhe folklorit popullor si edhe në përthyerjen e kohëve brenda një subjekti të caktuar. Vepra e Kutelit pikërisht për këtë arsye shpalos tiparet e universialitetit duke e thyer në këtë mënyrë skematizimin dhe mentalitetin që mbizotëronte në letrat shqipe". Turku vlerësoi dhe kontributin që Mitrush Kuteli ka dhënë në fushën e shqipërimeve. Sipas saj, "penës së tij i takojnë sjellja në shqip e veprave të mëdha të letërsisë botërore si "Frymë të vdekura" dhe "Tregimet e Petërburgut" të Nikolaj Gogolit, "Tregimet romantike" të Maksim Gorkit, "Tregime të zgjedhura arabe", etj", duke shtuar se përkthimi i kryeveprave në dimensionin e tyre të vërtetë mund të përkthehej vetëm nga një gjeni si Mitrush Kuteli". Të pranishëm ishin shkrimtarë, kritikë, miq e të afërm, të cilët i përshendeti aktori i njohur i skenës, Reshat Arbana me poezinë e Shën Ndaumit, të Mitrush Kutelit. Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes. Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes.Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s'u botua e plotë deri në vitin 90-të. Libri i Kutelit "Sulm e lotë" përmban Poemin kosovar dhe Poemin e Shëndaumit si dhe dy lirika, "Balta shqipëtare" dhe "Po të vdes në dhé të huaj"'. E pazakonshmja është se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tre pseudonime të Dhimitër Paskos. Izedini del si autor i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit kurse Dr. Pas si shkrues i parathënies. Ato dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë, etj. Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë, Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme, shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit. Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002 Mitrush Kuteli u dekorua me urdhrin "Mjeshtër i Madh i Punës"./n.m/
KOMENTE