Tiranë, 4 maj, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj u shpreh sot se prezenca e tij në takimin me autoritet e Bashkimit Evropian në Bruksel ka si qëllim jo ekspozimin e krizës, por gjetjen e zgjidhjes së saj.
“Nuk jemi këtu për të ekspozuar krizën e vendit tonë, por si deputetë të të njëjtit vend, të kthjellojmë situatën e vështirë dhe domosdoshmërinë për zgjidhjen e krizës. Çdo vonesë do të rrisë impaktet negative në ekonomi që edhe pas zgjidhjes se krizës do të kërkojnë kohë të rikuperohen”, ka thënë Malaj në fjalën e tij.
Në diskutimin e tij në panelin me përfaqësues të Parlamentit Europian, Malaj shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e madhe të shqiptareve ndaj Brukselit për mbështetjen e pandare dhe inspirimin që i japin Shqipërisë.
“Pas reagimeve emocionale të disa prej deputetëve të PD-së, Malaj theksoi faktin se arroganca e qeverisë është një risk i madh për demokracinë, dhe qartësoi se rritja e protestave janë tregues i qarte e i pamohueshëm i impakteve negative të krizës politike dhe të keq-qeverisjes së vendit”, thuhet në njoftimin e nisur për mediat nga zyra e shtypit e deputetit Malaj.
Ai ka shtuar se është krenar që në Bruksel përfaqëson vendin e tij, i cili ka kontribute shumë pozitive për paqen dhe prosperitetin në rajon.
n.e/NOA