English

Ndërkombëtarët detyrojnë Gruevskin për zgjidhjen e statusit të UÇK-së

Shkup, 4 maj, NOA - Partnerët e koalicionit kanë nisur bisedimet intensive për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët për zgjidhjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.

“Bisedimet janë intensive dhe se ato po udhëhiqen në nivel të funksionarëve të lartë të dy partive. Patjetër duhet të miratohet sa më shpejt një zgjidhje përfundimtare për statusin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së”, ka theksuar një diplomat perëndimor për agjencinë e lajmeve INA.

Nga BDI konfirmojnë për bisedimet, duke nënvizuar se ato udhëhiqen nga ana e sekretarëve gjeneral të BDI-së, Abdylaqim Ademi dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Martin Protugjer, dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të dy liderëve të partive të koalicionit. Pas arritjes së një marrëveshje paraprake, ajo do ti jepet për shqyrtim Ahmetit dhe Gruevskit, në një takim të tyre të radhës.

“Po shqyrtojmë modalitetet për të gjetur zgjidhjen e cila do të ketë parasysh zgjidhjen përfundimtare të statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës”, kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA pranë partisë shqiptare në pushtet.

Ndërkohë, pranë selisë së VMRO-DPMNE nuk japin hollësi për bisedimet. Jozyrtarisht një nga modelet e zgjidhjes është që ajo të bëhet në kuadër të ligjeve ekzistuese. VMRO-DPMNE nuk pranon që në ligj të figurojë fjalia “zgjidhja e statusit të luftëtarëve të UÇK-së, por vetëm zgjidhja e statusit të viktimave të vitit 2001”. Në kuadër të zgjidhjes së statusit të UÇK-së, do të ketë zgjidhje edhe për pjesëtarët e shoqatës së mbrojtësve maqedonas të vitit 2001 me emrin “Dinjiteti”, edhe pse ata kërkojnë ligj të posaçëm për statusin e tyre.

Edhe faktorët ndërkombëtarë në Shkup janë dakorduar që të ketë një zgjidhje, edhe në kuadër të Ligjit për të drejtat speciale të forcave të sigurisë, ku pritet ndërhyrje në disa nene dhe parashtesa. Derisa partnerët e koalicionit larg syve të opinionit po diskutojnë për këtë çështje të ndjeshme, në Parlament ka dështuar nisma e dy deputetëve Abedin Zymberi nga Demokracia e Re dhe Daut Rexhepi-Leka, për propozim-ligjin për rregullimin e statusit të UÇK-së.

NOA-INA

KOMENTE