English

Ndërmarrje sociale për grupet në nevojë, për herë të parë dhe në Shqipëri

Tiranë, 04 maj, NOA - Edhe Shqipëria, sikurse vendet e rajonit, do të lejojë ngritjen e bizneseve dhe ndërmarrjeve sociale të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet në nevojë. Hapja e ndërmarrjeve të tilla do të sanksionohet me ligj, i cili ka nisur të hartohet nga strukturat e Ministrisë së Punës në bashkëpunim me ekspertë italianë.

Në fjalën e tij ministri i Punës, Spiro Ksera, deklaroi se ngritja e Ndërmarrjeve Sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë, nëpërmjet prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale ose interes kolektiv.

“Ligji do të krijojë kushtet e nevojshme për të inkurajuar iniciativa të zhvillimit të aktiviteteve prodhuese, me qëllim që të realizojnë të ardhura për të mbështetur shërbimet e tyre sociale. Fitimi është një mjet për të arritur objektivat sociale, që duhet të jetë pjesë e misionit për përfshirjen sociale, punësimin dhe riintegrimin e grupeve në nevojë”, u shpreh ministri Ksera.

Sipas tij, ndërmarrjet sociale janë një hap më përpara se OJF-të, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të ndryshme social-shëndetësore, por dhe në strukturën dhe menaxhimin e tyre.

Ato mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar një cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit.

Aftësia e tyre për të punësuar grupe dhe individë në vështirësi social-ekonomike, do të ndikojë ne rritjen e numrit të popullsisë së zënë me pune, duke mundësuar kështu dhe riintegrimin e kësaj kategorie. Këto lloj aktivitetesh nuk duhet të konsiderohen si iniciativa të ndërmarrjeve individuale private. Realizimi i të ardhurave nga aktivitetet prodhuese do të rris kapacitetet e Shoqatave e do t’i bëjë ato më pak të varura nga donacionet e mundshme e njëkohësisht do te rrisë mundësinë e tyre për t’u bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit, nga Njësitë e Qeverisjes Vendore apo Donatorë të ndryshëm.

Aktualisht në vendin tonë njihen nisma të tilla siç janë

ndërmarrja e prodhimit të karrocave për personat me aftësi të kufizuar e ngritur në Vorë, pak kilometra larg Tiranës. Në këtë ndërmarrje punojnë vetë invalidët, por shpesh herë drejtuesit e saj janë gjendur në vështirësi financiare për shkak të mungesës së fondeve.

b.a/NOA

KOMENTE