English

Nepravishta: S’ka më fatura aforfe

Tiranë, 04 maj, NOA - Faturat aforfe të energjisë elektrike, një çështje e ngritur si shqetësim nga opozita dhe që po përdoret edhe si një nga argumentet për proteste, nuk do të aplikohen më.

Enti Rregullator i Energjisë thotë se që nga 30 prilli nuk do të ketë më fatura të tilla, që do të shpërndahen për konsumatorët. Kjo situatë lidhet me faktin se OSSH ka pajisur të gjithë konsumatorët me matës të energjisë elektrike.

“Nga 1 Maji faturat aforfe në rast se aplikohen janë të jashtëligjshme, konsumatorët nuk duhet t’i paguajnë”, thotë Bujar Nepravishta, kryetar i Enti Rregullator i Energjisë (ERRE). Ndaj konsumatorët në rast se u faturohet konsumi pa u matur, në rastet kur janë të pajisur me sahat, duhet të kundërshtojnë këtë faturë, fillimisht pranë OSSH-së e më pas, në rast se nuk gjejnë zgjidhje pranë Entit Rregullator.

Megjithatë sipas kreut te entit, koncepti i afrofeve nuk do te eliminohet, pasi në çdo rast të dëmtimit të sahatit, konsumatori do të paguajë aforfe. Nepravishta thotë se gjatë muajve të parë të vitit ka patur një nivel të lartë ankesash nga banorët për mbifaturim, rreth 200 të tilla.

Këto fatura kanë ardhur në shuma të mëdha deri në 30 mijë lekë të reja. Sipas tij, kompania private i ka evidentuar dhe ka premtuar se do t’i kompensojë qytetarët.

Ndërsa për sa i përket premtimit për të kompensuar të gjithë konsumatorët shqiptarë që janë faturuar që në muajin dhjetor me çmimin e rritur të energjisë, ky është një proces që jo vetëm s’ka filluar por ka pak shanse të aplikohet.

r.l/NOA

KOMENTE