Nxënësit E Shkollës "Avni Rustemi" Ruajnë Mjedisin Nën Sloganin "Luaj Dhe Mbaj Pastër Mjedisin"
ISIN"
TIRANË, 4 Maj /ATSH- Gjergji Mima/. -Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, organizuan sot në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë aktivitetin "Luaj dhe mbaj pastër mjedisin", që synon të edukojë dhe transmetojë tek nxënësit dëshirën për të mbajtur pastër ambientin dhe të luajnë pastër.
Ndërkohë, 30 nxënës të shkollës 9-vjeçare "Avni Rustemi", që mbanin të veshur buza me sloganin "Luaj dhe mbaj pastër mjedisin", pastruan mjedisin në Kodrat e Liqenit Artificial.
Zv/ministrja e e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, duke iu drejtuar nxënësve të shkollës "Avni Rustemi", tha se "sot mësimin nuk po e zhvilloni në shkollën tuaj, por në mjediset e natyrës, duke krijuar mundësinë që të gjithë bashkëqytetarët që ju ndjekin të kuptojnë se sistemi arsimor shqiptar mund të bëhet jo vetëm brenda mureve të shkollës, por edhe jashtë saj".
"Pluhuri, smogu apo mungesa e gjelbërimit bëjnë që jeta jonë të jetë më e vështirë, por të gjithë së bashku mund ta ndryshojmë këtë gjë, duke respektuar mjedisin", ishte mesazhi i zv/ministres Malaj.
Ndërkohë, sekretari i KOKSH, Savri Bello, tha se "me këtë aktivitet të përbashkët synojmë të evidentojmë se mund të edukohen vlera tek nxënësit tanë nëpërmjet veprimtarisë së tyre dhe ata të ndjehen të kënaqur për të luajtur në një ambient të pastër"./s.s./