Tiranë, 4 maj, NOA- Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Pazoti reagoi sot në lidhje me kërkesën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama mbrëmjen e djeshme, për mungesën e një vendimi që ndalon hapjen e kutive.
“Në fakt, hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave nuk e ndalon vetëm vendimi Nr. 20, i Gjykatës Kushtetuese, por edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, apo siç quhet ndryshe, i Kolegjit Zgjedhor”, u shpreh Patozi. Patozi theksoi se kreu i PS-së nuk i njeh gjykatat dhe solli në vëmendjen e mediave debatin e zhvilluar mes Kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe Kryeministrit Berisha gjatë negociatave në Presidencë.
“Ndjehem i detyruar të informoj shqiptarët, se në tryezën e organizuar nga Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, zoti Rama i drejtoi kryeministrit disa herë pyetjen se: “ku përmendet fjala gjykatë në vendimin e datës 4/12/2003 të Gjykatës Kushtetuese?”. Më pas, në mënyrën më të papërfytyrueshme, ai deklaroi se fjala gjykatë nuk përmendet në asnjë rresht të këtij vendimi”, u shpreh Patozi. Duke riprodhuar situatën e pak muajve më parë në Presidencë, Patosi shtoi se Kryeministri i kërkoi këshilltarit të Presidentit të Republikës, Spiro Peçi, vendimin në fjalë dhe lexoi prej tij sa më poshtë vijon:
“Komisionet hetimore parlamentare, duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë, përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të Gjykatave dhe pushteteve të tjera”. Dhe më poshtë: “Element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Vendimet gjyqësore mund të ndryshohet vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor”. Për të vijuar me, citoj:
“Këto parime, përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave”, dhe se: “Artikulimi i vlerësimeve kritike ndaj gjykatave nëpërmjet raporteve të komisioneve parlamentare, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese”.
“Pasi kryeministri lexoi vendimin nr. 26 të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë të pranishmit, panë me habi nga zoti Rama, ndërkohë që, si një nga dëshmitarët e atij takimi, më duhet të konfirmoj se ky i fundit, as u skuq dhe as u zverdh”, u shpreh Patozi.
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës së Apelit më datë 27. 07.2009, e ndalon hapjen e kutive, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, kur gjykon padinë për vendimin e KQZ-së, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e dy komisionerëve socialistë për rinumërim të votave. Ndërsa solli në vëmendje të opinionit dhe Kodi Elektoral, i cili thotë shprehimisht se: “Mund të rinumërohen vetëm votat e kundërshtuara gjatë numërimit dhe se kategoria e vetme e votave, e cila bart me vete mosmarrëveshje lidhur me vlerësimin e tyre, mbetet të jetë kategoria e votave të kontestuara. Kolegji Zgjedhor, në mungesë të votave kundërshtuara, konkludon se, kërkesa e dy anëtarëve të KQZ, vlerësohet e paligjshme konceptualisht dhe në mungesë të rrethanave faktike të nevojshme për këto dy kërkesa, Kolegji ka arritur në përfundimin, se kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë”.
Pas prezantimit të vendimeve të gjykatave, Patozi kërkoi nga kreu i PS-së ti shpejgonte opinionit atë që ai e quante gjykatë. “Këto vendime janë dy prej niveleve supreme të sistemit gjyqësor të shtetit shqiptar. Këtu unë kam vendimet e tyre. Tani zoti Rama të na thotë se çfarë quan dhe pranon ai për gjykata: Asamblenë Parlamentare të Partisë Socialiste apo komitetin, përtej të majtës dhe të djathtës, që organizon protestat dhe grevat nga restoranti i Dy Kullave. Uroj pa shumë shpresë që ta gjejë një përgjigje”, u shpreh Kryetari i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.
m.xh/NOA