Tiranë, 4 maj, NOA – Kryeministri Berisha ka prerë sot shiritin e inaugurimit të një prej investimeve më të rëndësishme të Postës Shqiptare, siç është Qendra Tranzite nga ku përpunohet çdo objekt postar për t’u vijuar më pas brenda dhe jashtë vendit.
Brenda mjediseve të kësaj Qendre Tranzite ndodhet dhe shërbimi EMS, si dhe flota e transportit me 108 automjete, 100 motoçikleta dhe 400 biçikleta që mësyjnë çdo ditë rrugët e Shqipërisë deri në skajin më të largët.
Fal këtij investimi kolosal, por dhe investimeve të tjera, përfitimet kanë qenë të mëdha jo vetëm për kompaninë, por veçanërisht për klientin.
Më konkretisht, nga 37 pikë-ndalesa postare në vitin 2005, në vitin 2010 numërohen 199. Ndërsa para 4 vitesh dorëzimi i objekteve postare në zonat rurale bëhej për 10 ditë, aktualisht bëhet për 3 ditë dhe kur dorëzimi i objekteve ndërmjet qyteteve në 2005 bëhej për 3 ditë, tani bëhet për 1 ditë.
Në 2005, ishin vetëm 38 automjete, sot janë 108, ishin vetëm 3 motorçikleta sot janë 100, dhe ndërsa ishin vetëm 10 biçikleta, sot janë 400.
Duke qenë të parët në çdo skaj të Shqipërisë, Posta Shqiptare është gati për të shpërndarë shtypin për botuesit e gazetave falas për 7 ditët e javës.
n.e/NOA