Pnud: Nevojiten 62 Milione Euro Per Eleminimin E 9 Pikave Te Nxehta Mjedisore
- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) dhe Qeveria prezantojnë 9 pikat e nxehta mjedisore në Shqipëri-
TIRANË, 4 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Sipas një studimi të PNUD, nevojiten 62 milionë euro për pastrimin e 9 pikave më të nxehta mjedisore të identifikuara, sikurse janë miniera e Gurit të Kuq në breg të liqenit të Ohrit, shkrirësi i Ferrokromit në Elbasan, fabrika e Baterive në Berat, zona e minierës së Përrenjasit, ndërtesat e minierës së Bitinckës, Alba Film në Tiranë, zona e e Pesticideve në Rrëshen dhe Fabrika e Tekstileve në Berat.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) dhe Qeveria shqiptare prezantuan sot në një takim me donatorët në Tiranë këto pika mjedisore për donatorët në fushën e mjedisit.
"Pastrimi i pikave të nxehta mjedisore industriale është një sfidë që duhet përballuar, por që nuk mund të realizohet me sukses pa përpjekjen e të gjitha grupeve të interesit dhe pa edukuar tek ata dashurinë dhe interesin për mjedisin", u shpreh ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu gjatë këtij prezantimi.
"Shqipëria me kontributin e vazhdueshëm të PNUD po arrin pjekurinë e duhur në trajtimin e problemeve mjedisore në përgjithësi dhe menaxhimin e pikave të nxehta në veçanti, duke mundësuar në mbrojtjen e një çështjeje kaq të rëndësishme, si mjedisi", theksoi Mediu.
Sipas tij, adresimi i çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit, kërkon zhvillimin dhe zbatimin e politikave të integruara dhe afatgjata në nivelin lokal dhe kombëtar.
Sipas koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslet, Shqipëria nuk ka legjislacion specifik për zonat më të nxehta mjedisore. "Qeveria dhe institucionet kombëtare respektive duhet t'i adresojnë këto çështje, përfshi këtu edhe mangësitë në burime dhe boshllëqet në fushën teknike dhe ato të kapaciteteve", tha ajo.
Më tej Cosslet shtoi se në dokumentin e paraqitur nga Partneriteti Europian i vitit 2007, theksohej nevoja e Shqipërisë për inventarizimin e plotë të pikave të nxehta mjedisore dhe vazhdimin e përpjekjeve në drejtim të adresimit të tyre.
Në Shqipëri, në kuader të programit të pikave të nxehta mjedisore janë realizuar një seri aktivitetesh pastruese si, Stacioni hekurudhor i Bajzës, magazina e Kimikateve në Balëz dhe ndërkohe pritet të fillojnë punët civile rehabilituese të minierave të Repsit dhe të Rrëshenit.
Për të 9 pikat e nxehta mjedisore të identifikuara, sipas studimit të PNUD, nevojiten rreth 62 milionë euro për të realizuar pastrimin dhe rehabilitimin e tyre. Studimi u financua nga Qeveria e Mbretërisë së Holandës dhe u realizua nga kompania italiane Foster Wheeler Italiana, me partnerët e saj, LDK (Greqi) dhe G&G (Shqipëri). /a.ke/