English

Presidenti Topi Pjesëmarrës Në Samitin E Xiii Ekonomik Euro-Aziatik

TIRANË, 4 Maj/ATSH/.-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar, u nis sot për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Samitin XIII-të Ekonomik Euro-Aziatik, që do të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll. Sipas njoftimit nga Presidenca, në këtë Samit, të organizuar nga Fondacioni Marmara, do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra, akademikë dhe drejtues të dhomave të tregtisë e ekonomisë së vendeve nga Evropa Juglindore, nga rajoni i Detit të Zi dhe Kaspikut, Kaukazi, etj. Politikat euro-aziatike për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, çështje të kapërcimit të krizës botërore ekonomike dhe financiare, politikat e zbatimit të projekteve të përbashkëta energjetike, rritja e prosperitetit për të gjithë vendet dhe e harmonisë mes popujve, janë disa nga temat kryesore që do të trajtohen në këtë Samit. Gjatë punimeve të Samitit XIII-të Ekonomik Euro-Aziatik, Presidenti i Republikës do të mbajë fjalën në seancën plenare të hapjes në emër të personaliteteve të huaja së bashku me Presidentin maqedonas, Ivanov. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Turqi, Presidenti Topi pritet të zhvillojë një vizitë në Bashkinë e Shishlit, ku kryebashkiaku Mustafa Sarugyl do i dorëzojë Kryetarit të Shtetit shqiptar çelësin e qytetit, gjatë një ceremonie të veçantë. /a.s/s.s./
KOMENTE