English

Rama: Greva jonë shpreh me uri, urinë e vendit për demokraci

Tiranë, 4 maj, NOA – “Të gjithë ata socialistë që kanë hyrë në grevë, kanë vendosur të shprehin me uri, urinë e madhe që ka ky vend për demokraci evropiane”.

Me një deklaratë të tillë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka përshëndetur si përnatë, protestuesit dhe grevistët që prej pesë ditësh qëndrojnë të ngujuar me çadra para godinës së kryeministrisë.

“Ky vend në mes të Evropës, po i largohet Bashkimit Evropian me fakte, ndërsa i afrohet vetëm me fjalë; i largohet me vepra, ndërsa i afrohet me gënjeshtra”, tha më pas Rama.

Më tej, kreu i PS-së ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të maxhorancës, duke i cilësuar madje si “propagandë fashiste”.

"Berisha kujton se ne do të sprapsemi dhe të trembemi, por ne jemi këtu për t'i thënë jo me fjalë po me vepra, se ky vend nuk mund të tundohet më nga pushteti që nuk i lejon të votojë", theksoi kryesocialisti.

Ndërsa duke iu referuar protestës së sotme të ish-të burgosurve politikë, që protestuan para selisë rozë, ai tha se ata nuk janë gjë tjetër veçse “viktima të një gënjeshtre”.

"Ndodh që thuhet një gënjeshtër zyrtare që në të gjithë autoparlantët dhe ekranet të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të imponuar që keqpërdoret", theksoi Rama.

"Kam shumë respekt për ish-të përndjekurit politik dhe i kam falur pasi janë viktima të gënjeshtrës së djeshme por u bën zëdhënësit e gënjeshtrës së sotme", tha më pas ai, duke shtuar se “ata nuk kanë përfituar asgjë, por janë mbajtur në këmbë me energji negative”.

n.e/NOA

KOMENTE