Rama:Në Protestë Jo Për Pushtet, Por Për Transparencë
TIRANË, 4 Maj/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, deklaroi sot se opozita është në protestë jo për interesat për pushtet, por për transparencën e zgjedhjeve.
Gjatë një konferencë për shtyp, mbajtur para çadrave ku po zhvillohet greva e deputetëve të PS-së përballë selisë së qeverisë, Rama theksoi vendosmërinë e opozitës "për të mos u tërhequr nga kjo betejë".
"Ne nuk jemi në protestë për pushtet, por për transparencë, nuk jemi në protestë për interesin e një pale, por për interesin publik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk jemi këtu për të transformuar një kauzë të madhe, siç është kauza e lirisë dhe e ndershmërisë së zgjedhjeve, në një instrument për të marrë pushtetin në tavolinë", tha Rama.
Ai nënvizoi se opozita është në protestë "për të transformuar jetën demokratike në Shqipëri, që çdo proces zgjedhor të jetë i pamanipulueshëm dhe i pakorruptueshëm"./a.s/s.s./