Shkodër: Fillon Verifikimi I Dëmëve Të Përmbytjeve Të Fundit
SHKODËR, 4 maj /ATSH-G. Marku/- Komisionet e ngritura pranë Këshillit të Qarkut të Shkodrës kanë filluar sot verifikimin e dëmeve të shkaktuara në zonën e Nënshkodrës gjatë përmbytjeve të muajit prill.
"Do të verifikohen dëmet e shkaktuara vetëm në bujqësi, pra vetëm formulari 3"," tha të martën kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Prof. Dr. Gjovalin Kolombi.
Zona e Shkodrës u përfshi nga përmbytjet edhe në muajt janar e shkurt, duke pësuar dëmtime në bujqësi dhe banesa, për të cilat janë bërë tashmë verifikimet dhe ka filluar dëmshpërblimi nga qeveria.
"Vlerësimi do të studjohet dhe do të shqyrtohet këtu në Qarkun e Shkodrës dhe sikurse dhe në vlerësimin e parë do t'i dërgohet ministrisë së Brendshme dhe më pas Këshillit të Mimistrave për të përcaktuar vlerat e dëmeve dhe për t'i dhënë edhe një herë ndihmë fshatarëve që kanë pësuar dëme nga këto përmbytje," tha Kolombi.
Sipas tij, për të verifikuar dëmet e shkaktuara në zonat e Nënshkodrës të përmbytura janë ngritur shtatë grupe pune, në përbërje të të cilëve janë përfaqësues nga ministria e Bujqësisë, e Brendshme, përfaqësues të Këshillit të Qarkut të Shkodrës dhe specialistë të bujqësisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit./ch/