Shkoder: Policia Reagon Ndaj Protestes Se Paligjshme Te Simpatizanteve Te Ps
SHKODËR, 4 maj/ATSH-G. Marku/-Policia e Shkodrës ndërhyri dhe zhbllokoi rrugën kombëtare pranë urës së Bahçallëkut, në hyrje të qytetit, e cila pezulloi kalimin e automjeteve për disa minuta nga një tubim pa leje, organizuar nga një grup simpatizantësh të degës së Partisë Socialiste.
Zëdhënësja e shtypit pranë Drejtorisë Policisë Qarkut Shkodër, Fatbardha Çelepia mes një deklarate për shtyp bëri të ditur se "një grup prej 15-20 personash, simpatizantë të Partisë Socialistë u mblodhën për të protestuar, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin e rrugës nacionale".
Sipas saj, "Komisariati i Policisë nuk kishte marrë asnjë njoftim për këtë tubim nga dega e PS e Shkodrës"
"Janë shoqëruar nga Komisariati i Policisë tre shtetas, që po intervistohen nga shërbimet e policisë gjyqësore për organizimin e tubimit të kundraligjshëm dhe po kryen veprimet proceduariale për veprat penale të parashikuara nga neni 262 për "Organizim dhe manifestim i paligjshem" dhe neni 293 për "Bllokim të rrugëve nacionale", tha zëdhënësja e shtypit e policisë së Shkodrës Fatbatdha Çelepia./n.m/