English

Sport-Futboll/ Finalja E Ligës Së Kampioneve Ndryshon Sërish Kalendarin E Superligës

TIRANË, 4 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Prezenca e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, por edhe e disa presidentëve të klubeve shqiptare, në stadiumin "Santiago Bernabeu", për finalen e Champions League, ka qenë shkaku i ndryshimit të kalendarit të Superligës. Pas vendimit të para një jave, që i çonte dy javët e fundit të kampionatit në datat 15 dhe 22 maj, u vendos nga FSHF që ato të luhen më 14 dhe 19 maj. Një ndryshim i tillë, i ndodhur në harkun kohor të një jave me dy vendime të ndryshme të FSHF, krijoi jo pak çudi, por edhe një precedent të rrallë. Gjithsesi, sipas burimeve nga FSHF, shkaku i këtij ndryshimi nuk ka pasur lidhje me arsye sportive, por me mungesën në Shqipëri të presidentit të Federatës, Armand Duka, si edhe disa presidentëve të tjerë të klubeve. Ata do të jenë në "Santiago Bernabeu" të Madridit për të ndjekur finalen e Champions League mes Bajernit të Mynihut dhe Interit. Në fakt, data e fundit e Superligës, pra 22 maji, përkon pikërisht me ditën e finales. Por, Duka duhet të ishte patjetër prezent në Tiranë për t'i dhënë Dinamos trofeun e skuadrës kampione, pas ndeshjes që ajo do të luante me Besën. Në këtë mënyrë, është gjetur një tjetër zgjidhje: ndryshimi për herë të dytë i kalendarit dhe afrimi i ndeshjeve të javës së 33-të më 19 maj. Një gjë e tillë është konfirmuar sot nga burime në FSHF, që bënë të ditur se në "Bernabeu" pritet të jenë edhe disa presidentë të klubeve të Superligës, kështu që në këto rrethana do të ishte e pamundur të zhvillohej një javë normale e kampionatit. Ndërkohë, vetë Duka mësohet se do të jetë në datën 21 maj edhe në selinë e UEFA-s, ku zhvillohet një mbledhje e organeve drejtuese të saj./s.s./
KOMENTE