Sport-Futboll/ Fshf Në Kërkim Të Arbitrave Të Huaj Për Finalen E Kupës
TIRANË, 4 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Federata Shqiptare e Futbollit po interesohet tek homologet e saj ballkanike, por edhe në vende të ndryshme europiane për një treshe gjyqtarësh të huaj, që do të arbitrojë finalen e Kupës së Shqipërisë.
Ndeshja ndërmjet Vllaznisë dhe Besës, do të luhet më 9 maj në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
Të dyja skuadra kërkojnë ta fitojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, për ta cilësuar këtë sezon pozitiv. Drejtuesit kavajas dhe ata shkodranë kanë rënë dakord që, për të evituar polemika, ndeshja të drejtohet nga një arbitër jo shqiptar.
Përveç gjetjes së arbitrave të gatshëm, një nyje që duhet zgjidhur është edhe çështja e pagesës. Si Besa, ashtu edhe Vllaznia, pretendojnë që shpenzimet e arbitrave të këtj takimi t'i heqë federata. Por, zyrtarët në FSHF u kanë bërë të ditur se pagesa duhet të bëhet prej vetë klubeve, 50 me 50, duke qenë se ato e kërkuan një gjë të tillë./a.gj/