Sport-Futboll/ Kombëtarja Shqiptare U-19, Dy Miqësore Me Malin E Zi
TIRANË, 4 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Kombëtarja shqiptare U-19 do të zhvillojë nesër në stadiumin "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës ndeshjen e parë, nga dy miqësoret, që do të këtë brenda javës ndaj përfaqësueses U-19 të Malit të Zi.
Nën drejtimin e teknikut Ramadan Shehu, futbollistët e përfaqësueses U-19 janë stërvitur në Ulqin nga data 1 maj. Sipas menaxherit të ekipit U-19, Lysjen Nurishmit, "lojtarët janë në formë mjaft të mirë dhe përveç futbollistëve të Superligës janë grumbulluar edhe disa lojtarë të rinj, që u zbuluan gjatë grumbullimeve në Grqi dhe Itali në fillim të vitit".
Në ndeshjen e nesërme, që do të luhet në orën 16:30, pritet të aktivizohen më së shumti lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar.
Ndërsa në ndeshjen e dytë, që do të luhet në kryeqytetin malazez, Podgoricë, në 6 maj, pritet të aktivizohen disa lojtarë që u zbuluan nga dy grumbullimet e zhvilluara në Greqi dhe Itali në fillim të këtij viti.
Sipas Nurishmit, "këto dy miqësore do të shërbejnë për të parë formën e futbollistëve përpara eliminatoreve të evropianit që do të zhvillohen në muajin shtator"./s.s./