English

Sport-Futboll/ Vllaznia, Skuadra E Vetme Shqiptare Në Renditjen E Iffhs

TIRANË, 4 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Vllaznia mbetet edhe këtë muaj skuadra e vetme shqiptare mes 355 klubeve më të mira të botës, por kësaj here ka bërë një ngjitje spektakolare prej 50 vendesh. Një gjë e tillë është konfirmuar pikërisht sot, pas botimit zyrtar të renditjes (së rinovuar çdo muaj) nga Instituti Ndërkombëtar për Historinë e Futbollit dhe Statistikat (IFFHS). Janë marrë në konsideratë rendimentet e klubeve botërore (ndeshje zyrtare të zhvilluara, të vlerësuara me një koeficient vështirësie, i cili varion sipas kombeve), në një periudhë kohore prej 1 maj 2009, deri më 30 prill 2010. Vetëm një muaj më parë shkodranët pozicionoheshin në vendin e 351-të, së bashku me Dinamon, në kuotë të barabartë pikësh, 66.0. Dhe ndërsa Dinamo ka dalë jashtë listës së 355 më të mirëve, shkodranët kanë kaluar në mënyrë spektakolare në vendin e 301-të, në kuotën e 72.0 pikëve, duke lënë pas disa klube të Serisë A. Renditja kryesohet nga Barcelona, Etudiantes dhe Inter./s.s./
KOMENTE