Bruksel, 4 maj, NOA - Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ka shprehur shqetësim për situatën politike në Shqipëri. Ai thotë se greva e urisë së deputetëve dhe përkrahësve të opozitës në Tiranë rrezikon t'i ashpërsojë edhe më shumë qëndrimet e palëve.
Fule thotë se të dyja palët kanë përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhje dhe në intervistën që i dha BBC-së, ai flet edhe për procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë si dhe për proceset integruese dhe situatën në Maqedoni dhe Kosovë.
Zoti Fule, situata politike në Shqipëri vazhdon të mbetet e acaruar. Tashmë kemi dhe grevë të disa deputetëve të opozitës. Cili është qëndrimi i juaj dhe i BE-së për zhvillimez e fundit?
- Unë jam vërtet i shqetësuar për mungesën e dialogut politik konstruktiv si dhe mungesën e funksionimit të plotë të parlamentit. Ky është shqetësimi i përgjithshëm. Por, unë jam shumë i shqetësuar nga kjo grevë urie pasi kjo rrezikon t'i ashpërsojë edhe më tej qëndrimet. Eventualisht, këto rreziqe mund të çojnë në shtimin e konfrontimit. Dhe pika e fundit në këtë çështje të rëndësishme është diçka që unë e kam përsëritur disa herë se të gjitha partitë politike, ato në qeveri dhe ato në opozitë, kanë përgjegjësi të gjejnë zgjidhje për situatën aktuale politike, bazuar në dy parime: kornizën kushtetuese e transparencën. Është fakt se greva e urisë e shton më shumë përgjegjësinë mbi shpatullat e zotit Rama, përgjegjësi për të garantuar mirëqenien dhe shëndetin e njerëzve që protestojnë para kryeministrisë.
Z.komisioner, përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, ku e lë Shqipërinë kjo situatë tani? Vetëm para pak ditësh një prej eurodeputetëve, Kacin tha për BBC-në se kjo situatë nuk dërgon aspak sinjale pozitive?
- Nuk është sinjal i dobishëm, kjo është e sigurt, pasi ne jemi në një moment vendimtar në përgatitjen e një opinioni, përgatitjen e rekomandimeve të komisionit për shtetet anëtare nëse duhet të fillojmë procesin e anëtarësimit, apo nëse duhet bërë më shumë punë. Ne ua kemi vënë në dukje miqve tanë shqiptarë përparimet e mëdha që kanë bërë vitet e fundit. Fokusi i opinionit që po përgatitet do të jetë mbi pjesën politike të Kritereve të Kopenhagës dhe funksionimi i institucioneve politike, si parlamenti, dhe gjithëpërfshirja në proceset politike janë midis këtyre kritereve. Kështu që nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje brenda një kornize kohore të arsyeshme, kjo nuk mund të injorohet në përgatitjen e këtij opinioni. I takon komisionit dhe shteteve anëtare që të nxjerrin më pas konkluzionet.
Zoti Fule, a do t'i shohë ky vit shqiptarët që të udhëtojnë lirshëm në Evropë?
- Unë shpresoj shumë që të ndodhë kështu, pasi përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Ajo i ka bërë pothuajse të gjitha detyrat e shtëpisë, të reflektuara në udhërrëfyesin përkatës. Disa ditë më parë, Komisoni Evropian ka vënë në tryezën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian një vlerësim shumë pozitiv të progresit të bërë deri tani dhe, me kusht që çështjet që kanë mbetur të trajtohet siç duhet, unë kam besim të plotë se ky vlerësim pozitiv do të pasohet nga një rekomandim pozitiv si për shtetet anëtare ashtu për deputetët e Parlamentit Evropian.
Kur thoni që shpresoni, ka ndonjë datë fikse për këtë vit apo ende jo?
- Mendoj se disa gjëra të caktuara varen nga Komisioni Evropian dhe disa nga institucione të tjera. Ndonëse unë mund të flas në emër të komisionit për datat e nxjerrjes se vlerësimit tonë dhe planet për rekomandimet tona, në fund të fundit, kjo do të jetë në dorën e Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Kjo do të varet edhe se sa shpejt do të na diktojnë rrethanat që të veprojmë. Gjithashtu, duke iu kthyer kushtëzimit, atij numri të vogël çështjesh që duhen përmbushur deri në fund, do t'i takojë edhe komisionit monitorues që do të dërgohet në një moment të caktuar në Shqipëri, që të vlerësojë progresin e këtyre çështjeve që kanë mbetur.
Ditët e fundit, ju keni patur takime me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta dhe poltikanë të tjerë shqiptarë. Keni shkuar dhe vetë në Shqipëri. A keni dhënë ndonjë porosi, sugjerim të veçantë apo ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë?
- Jo, unë nuk iu kam dhënë ndonjë porosi. Kjo nuk është as detyra ime as e BE-së. Është e vërtetë se ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me politikanët shqiptarë, jo vetëm për çështjen e gjendjes aktuale politike, por edhe për çështje të tjera që lidhen me to. Në bisedën që pata me kryeministrin Berisha dhe me udhëheqësin e Partisë Socialiste Rama, të martën në mëngjes, unë iu thashë atyre pikërisht atë që sapo jua thashë edhe juve në këtë intervistë, se ata kanë përgjegjësi të përbashkët që të gjejnë një zgjidhje bazuar në ato dy parimet që përmenda, për hir të së ardhmes së Shqipërisë, e cila kam shumë besim se do të jetë brenda Bashkimit Evropian.
Le të flasim pak për Maqedoninë, vend për të cilin ende nuk ka një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Në Shkup po shprehen shqetësime për sigurinë pas zbulimit të disa armëve si dhe për shkak të mbetjes në vend të negociatave me Greqinë për çështjen e emrit. Ç'mund të thoni ju për situatën e sigurisë në Maqedoni për momentin?
- Unë mund të them atë që thuhet prej disa kohësh se ka mbetur vetëm një çështje që duhet zgjidhur përpara se shtetet anëtare të ndezin dritën e gjelbër për rekomandimin tonë. Dhe rekomandimi është që të fillojnë negociatat për pranimin e këtij vendi si anëtar i BE-së. Është fakt se është hapur një dritare që ofron mundësi dhe shpresoj shumë që brenda presidencës spanjolle, si Shkupi ashtu dhe Athina, të dyja vendet, të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme kompromisi, në mënyrë që të ecet përpara me procesin e anëtarësimit. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, mund të kemi një situatë të ngjashme me atë së cilës iu referuat ju. Mungesa e progresit nuk përputhet me stabilitetin në këtë pjesë të rajonit. Unë shpresoj se kjo do të përforcojë angazhimin dhe përgjegjësinë e të dy vendeve në atë që unë tani e shoh si një kapitull mjaft intensiv në procesin e gjatë të negociatave për arritjen e një zgjidhjeje.
Si e konsideroni shqetësimin e opozitës maqedonase për sigurinë në këtë vend për shkak të vonesave në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë?
- Ajo që ne shohim atje është se ekziston një përpjekje për integrim e cila, së bashku me kornizën e marrëveshjes së Ohrit, përbëjnë një bazë të fortë për një shoqëri shumë-etnike, pra të bashkëpunimit. Dhe nëse nga kjo përpjekje integruese hiqet lënda ngjitëse që i mban grupet e ndryshme etnike së bashku, në kuadrin e kësaj perspektive evropiane, kjo mund të sjellë surpriza të pakëndshme. Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë. Besoj se ka forca politike të përgjegjshme në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë dhe shpresoj, gjithashtu, se udhëheqësit, si në Athinë ashtu edhe në Shkup, do ta kuptojnë se ekziston kjo mundësi dhe do të shtojnë përpjekjet që të gjejnë një zgjidhje përpara përfundimit të presidencës spanjolle të BE-së.
Z. Fule, ku është Kosova në planet e Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor?
- Ajo çfarë mund të thuhet për Kosovën është se në Bashkimin Evropian nuk ka konsensus përsa i përket statusit të saj por, definitivisht, ne kemi konsensus të plotë për angazhimin e Kosovës, për të garantuar që Kosova të jetë pjesë e perspektivës së përgjithshme evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne duam të sigurojmë që asnjë vend i rajonit të mos mbetet jashtë. Në fund të vitit të kaluar, komisionit i është kërkuar nga shtetet anëtare që të ecë në tri drejtime të caktuara, në të cilat ne po hedhin hapa aktivisht. Këto drejtime janë: forcimi i dialogut politik me përfaqësuesit e Kosovës, shqyrtimi i mundësive për të forcuar marrëdhëniet tregtare dhe lëvizja e njerëzve, ku përfshihet dialogu i mundshëm për heqjen e vizave, për t'i dhënë Kosovës statusin që e kanë tre vende të Ballkanit Perëndimor dhe shpresoj që shumë shpejt këtë status pa viza ta kenë edhe dy vende të tjera të rajonit.
A mendoni se udhëheqësit serbë nga Beogradi dhe shqiptarët e Kosovës do të jenë të pranishëm në samitin e Sarajevës?
- Shpresoj të jetë kështu, pasi kjo do të jetë një konferencë e rëndësishme. Unë shpresoj shumë që vendet dhe politikanët ta kuptojnë se që bashkëpunimi rajonal të ketë sukses, ai duhet të jetë gjithëpërfshirës, dhe të sjellë disa rezultate. Dhe përsa i përket nivelit të Ministrave të Jashtëm, ekzistojnë precedentë. Unë shpresoj se ato do të përdoren për të mirën e atij takimi dhe që rajoni të hedhë një hap drejt BE-së.
A keni ju sinjale se ata do të bien dakord për t'u takuar?
- Të gjitha sinjalet që dëgjoj janë pozitive. Unë shpresoj që në 2 qershor ne, vërtetë, do të kemi një konferencë të suksesshme. Kur them e suksesshme, kam parasysh jo vetëm deklaratën përfundimtare dhe debatin, por që të jetë një takim gjithëpërfshirës, ku të kemi të gjithë përfaqësuesit të ulur rreth tryezës.
Dhe së fundmi, Serbia ka thënë se integrimi i saj në BE nuk pengohet nga fakti nëse ajo e njeh Kosovën si shtet, apo jo? Sa realiste është kjo?
- Komisioni e ka bërë të qartë se nuk ka lidhje mes këtyre të dyjave dhe nuk do ta shtyjë Serbinë që ta pranojë se ka ndonjë lidhje. Në të njëjtën kohë ka rëndësi që të gjendet një zgjidhje, ndërsa ne vazhdojmë të hedhim hapa në këtë proces.
BBC