English

Strukturat Shëndetësore Në Gatishmëri Për Të Ofruar Ndihmë Mjekësore Per Grevistët E Urisë

- Siguron ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili përmes një letre, drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama - TIRANË, 4 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili përmes një letre drejtuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, e siguroi për gatishmërinë maksimale të strukturave shëndetësore publike shqiptare për të ofruar, ashtu si dhe deri tani, mbështetjen e plotë për garantimin e ndihmës mjekësore ndaj grevistëve të urisë të Partisë Socialiste, mes të cilëve dhe një grup deputetësh. Në letrën, drejtuar edhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Shëndetësisë, thekson se "strukturat shëndetësore janë udhëruar të asistojnë dhe zgjidhin me prioritet maksimal çdo problem të karakterit shëndetësor të konstatuar tek grevistët e urisë". Sipas tij, në funksion të këtij qëllimi, drejtues të MSH dhe Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës kanë marrë kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e grevës për bashkëpunim sa më efektiv dhe të shpejtë për dhënien e ndihmës shëndetësore grevistëve, që kanë paraqitur probleme me shëndetin e tyre. Ndërsa garanton se ndjek me shumë vëmendje së bashku me strukturat shtetërore shendetësore ecurinë shëndetësore të grevës së urisë të nisur para 4 ditësh, ministri Vasili i konfirmon kryesocialistit Rama se "ekipet mjekësore publike janë të gatshme të ofrojnë ndihmën e tyre edhe brenda mjediseve, ku zhvillohet greva në bashkëpunim me ekipin mjekësor vullnetar që shërben atje, për të asistuar sa më mirë dhe me cilësinë e duhur grevistët e urisë". Ministri Vasili shton në këtë letër se "strukturat publike, universitare spitalore të Tiranës dhe ambulatore janë urdhëruar të trajtojnë me prioritet parësor rastet e rënduara të grevistëve të urisë, duke vënë në dispozicion të kësaj të gjithë infrastrukturën spitalore dhe personel mjekësor shtesë në shërbim 24 orë"./n.m/
KOMENTE