English

Tajlandë - Ish-Kryeministri U Bën Thirrje Përkrahësve Për Pajtim

BANGKOK, 4 maj /ATSH-AFP/ - Ish-kryeministri tajlandez në mërgim Thaksin Shinawatra u bëri thirrje sot përkrahësve të tij për pajtim, ndërkohë që manifestuesit që e mbështesin pritet të shprehen lidhur me planin e qeverisë për daljen nga kriza. Manjati i telekomunikacioneve, idhulli i shumë "këmishëkuqve", bisedoi në telefon me partinë e aleatëve të tij në parlament, Puea Thai. "Pajtimi është i mirë për të gjithë", theksoi ai. "Nesër është një ditë ogurmirë, dita e kurorëzimit. Besoj se duhet të fillojmë të bëjmë gjëra të mira", shtoi ai duke iu referuar përvjetorit të kurorëzimit të mbretit Bhumibol Adulyadej, personalitet mjaft i nderuar në Tajlandë dhe që bie ditën e mërkurë. Liderët "e kuq", të cilët manifestojnë që prej mesit të marsit, janë mbledhur sot që prej orës 10:00 të mëngjesit (03:00 GMT) përpara se të shprehen lidhur me "planin e punës" së kryeministrit Abhisit Vejjajiva. Ky i fundit propozon zgjedhje legjislative më 14 nëntor me disa kushte. Pyetjes lidhur me këtë plan të daljes nga kriza, Thaksin iu përgjigj se ai është vetëm "një vëzhgues". "Pranimi ose jo i tij varet nga një vendim i 'të kuqve'", theksoi ai. /I.Pu.
KOMENTE